Administrata Biden ka njoftuar ligjvënësit kryesorë se po dërgon një paketë të re prej më shumë se një miliard dollarë armë dhe municione në Izrael, thanë të martën tre ndihmës të Kongresit.

Kjo është dërgesa e parë e armëve për Izraelin e njoftuar nga administrata që kur vonoi një transferim të dytë të armëve këtë muaj – që përfshin 3,500 bomba. Administrata tha se e ndaloi atë dërgesë të mëparshme për të parandaluar Izraelin të përdorte bombat në sulmin e tij të përshkallëzuar në qytetin jugor të Gazës, Rafah, me popullsi të dendur.

Shtëpia e Bardhë është vënë nën kritika nga të dyja anët e spektrit politik amerikan për mbështetjen e saj ushtarake për luftën shtatë-mujore të Izraelit në Gaza. Disa nga kolegët demokratë të Presidentit Joe Biden i kanë bërë presion atij që të kufizojë transferimin e armëve në Izrael, në mënyrë që t’i bëjnë presion aleatit të SHBA-së që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë. Ndërsa shumë republikanë dënojnë reduktimin e mbështetjes ushtarake për Izraelin.

Paketa që po dërgohet përfshin rreth 700 milionë dollarë për municione tankesh, 500 milionë dollarë për automjete taktike dhe 60 milionë dollarë për predha artilerie, thanë ndihmësit e Kongresit. Ata folën në kushte anonimiteti për të diskutuar për transferimin e armëve, i cili ende nuk është bërë publik.

Nuk ka asnjë të dhënë të menjëhershme se kur do të dërgoheshin armët. Është e paqartë nëse dërgesa është pjesë e paketës së shumëpritur të ndihmës së huaj të miratuar nga Kongresi dhe nënshkruar nga Biden muajin e kaluar, këste nga shitjet ekzistuese të armëve, apo shitje të reja.

Wall Street Journal raportoi fillimisht planet për të dërguar paketën.

Republikanët këtë javë planifikuan të avancojnë legjislacionin që do të urdhëronte dërgimin e armëve në Izrael. Pasi Biden vendosi të ndalojë dorëzimin e bombave javën e kaluar, republikanët e dënuan shpejt vendimin, duke thënë se ai përfaqësonte një braktisje të aleatit më të ngushtë të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se Biden do të përdorte veton e tij për të ndaluar projektligjin nëse Kongresi e miratonte atë. Projektligji gjithashtu nuk ka pothuajse asnjë shans në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Por demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve janë disi të ndarë për këtë çështje, me rreth dy duzina që kanë nënshkruar një letër drejtuar administratës Biden duke thënë se janë “thellësisht të shqetësuar për mesazhin” që dërgon ndalimi i dorëzimit të bombave.

Një nga nënshkruesit e letrës, përfaqësuesi i Nju Jorkut, Ritchie Torres, tha se ai ka të ngjarë të votojë për projektligjin, pavarësisht kundërshtimit nga Shtëpia e Bardhë, raportoi CNBC.

“Unë kam një praktikë të përgjithshme për të mbështetur legjislacionin nga i cili përfiton Izraeli…”, tha ai.

Përveç kërcënimit me shkrim të vetos, Shtëpia e Bardhë ka qenë në kontakt me ligjvënës të ndryshëm dhe ndihmës të Kongresit rreth legjislacionit, sipas një zyrtari të administratës.

“Ne i kundërshtojmë fuqishë përpjekjet për të kufizuar aftësinë e presidentit për të vendosur ndihmën e SHBA-së për sigurinë në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre këtë javë, duke shtuar se administrata planifikon të shpenzojë “çdo cent” miratuar nga Kongresi në suplementin e sigurisë kombëtare të nënshkruar nga Biden muajin e kaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re