Vaksinimi me dy doza të vaksinës së Moderna për Covid-19 ka gjasa të sjellë një rrezik më të lartë për inflamacionin e zemrës se sa vaksinimi me Pfizer, por përfitimet që vijnë nga vaksinat e të dyja këtyre kompanive i tejkalojnë rreziqet, sipas një paneli të ekspertëve të jashtëm të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (QKP).

Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit të QKP-së u takua të premten për të diskutuar mbi rreziqet e zhvillimit të miokarditit pas marrjes së vaksinave Moderna ose Pfizer.

Miokarditi është një inflamacion i muskulit të zemrës që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut. Megjithëse miokarditi është më i zakonshëm pas një infeksioni viral, QKP ka zbuluar një lidhje midis inflamacionit të zemrës dhe vaksinimit me dozat Moderna dhe Pfizer.

Rreziku i miokarditit pas vaksinimit kundër Covid është më i lartë tek adoleshentët dhe të rinjtë e gjinisë mashkullore që marrin dozën e dytë të një vaksine me mRNA, teknologjia që përdoret si nga Moderna, ashtu edhe nga Pfizer. Simptomat shfaqen brenda pak ditësh pas vaksinimit dhe përfshijnë dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, përshpejtim të rrahjeve të zemrës dhe lodhje.

Edhe pse në raste të rralla, vaksinat e Pfizer dhe Moderna kanë qenë të dyja të lidhura me rrezikun e miokarditit. Sidoqoftë, ky rrezik ishte më i lartë pas dozës së dytë të vaksinës Moderna te njerëzit e grupmoshës 18 deri në 39 vjeç, sipas programit të mbikëqyrjes së sigurisë të QKP, i cili mbledh të dhëna nga nëntë organizata të kujdesit shëndetësor në tetë shtete.

Për çdo 1 milion doza të dyta që aplikohen, të vaksinuarit me Moderna kishin 10.7 raste më shumë të miokarditit dhe perikarditit krahasuar me njerëzit që morën vaksinën e Pfizer, sipas studimit. Diferenca ishte akoma më e madhe te meshkujt, ku pati 21.9 raste më shumë të miokarditit dhe perikarditit pas dozës së dytë të Moderna-s, ndërsa te femrat kjo shifër ishte 1.6.

Megjithatë, nuk pati asnjë ndryshim te simptomat e shfaqura nga njerëzit që morën vaksinat e këtyre kompanive. Shumica e pacientëve ishin në spital për vetëm një ditë dhe askush nuk u shtrua në kujdesin intensiv, sipas studimit.

Autoritetet e shëndetit publik në Ontario, Kanada, zbuluan se shkalla e miokarditit ishte pesë herë më e lartë për meshkujt e grupmoshës 18-24 vjeç pas dozës së dytë të vaksinës Moderna, krahasuar me atë të Pfizer. Gjithashtu, shkalla e miokarditit ishte më e lartë te njerëzit e të njëjtës grupmoshë që morën Pfizer si dozë të parë dhe Moderna si të dytë, krahasuar me ata që u vaksinuan me të dyja dozat nga vaksina Pfizer.

Dr. Sara Oliver, një zyrtare e QKP, tha se pritet një rritje e rasteve të miokarditit pas vaksinimit me dozat e Moderna-s, por, nga ana tjetër, vaksinimi me këto doza do të parandalonte në masë më të madhe shtrimet në spital për Covid krahasuar me vaksinën e Pfizer. “Përfitimet nga vaksinat me mRNA janë shumë më të mëdha se sa rreziqet e mundshme,” tha Oliver.

Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera kanë rekomanduar përdorimin e vaksinës së Pfizer më shumë se sa të vaksinës Moderna për grupmoshat me rrezikshmëri më të lartë. Dr. Pablo Sanchez, profesor i pediatrisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, tha se ekspertët e vaksinave të QKP duhet të konsiderojnë të bëjnë një rekomandim të ngjashëm.

“Mund të jetë e nevojshme që, të paktën për grupet me rrezikshmëri më të lartë, për të rinjtë meshkuj, të rekomandojmë një preferencë të Pfizer kundrejt Modernës,” i tha Sanchez komitetit.

Studiuesit janë ende duke investiguar shkaqet që sjellin miokarditin pas vaksinimit kundër Covid. Autoritetet kanadeze të shëndetit publik zbuluan gjithashtu se shkalla e miokarditit ishte më e lartë për vaksinën Moderna dhe Pfizer kur intervali kohor midis dozës së parë dhe të dytë ishte më i vogël se 30 ditë.

Ekspertët e vaksinave të QKP po konsiderojnë një interval më të gjatë prej 8 javësh ndërmjet dozës së parë dhe të dytë të vaksinave të të dyja kompanive, për të adresuar rrezikun e miokarditit. Vaksina e Moderna është plotësisht e miratuar për të rriturit 18 vjeç e lart. Vaksina e Pfizer është plotësisht e miratuar për personat 16 vjeç e lart, si dhe është autorizuar për përdorim në raste urgjence për fëmijët nga 5 deri në 15 vjeç./ Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re