Në gjykatën e Elbasanit kanë dalë sot të gjithë ish-ushtarakët dhe komandot që u përfshinë në përplasjen me armë që ndodhi javën e kaluar në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, dhe u plagosën katër persona të tjerë.

Burime bëjnë me dije se një prej të arrestuarve, Emiljano Prenga ndodhet i shtruar në spitalin ushtarak dhe prandaj nuk është i pranishëm në seancë, ndërkohë që të gjithë të arrestuarit shihen të veshur kryesisht me kostum, ndërsa brenda xhamit shihet dhe Arbër Paplekaj, ish-komandoja i RENEA-s i cili dyshohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin, në kushtet e vetëmbrojtjes.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se në makinën e Klemend Xhaferrit është  gjetur një listë me emra dhe disa karta ID. Po ashtu në makinën e e Mehmet Grecës janë gjetur një sasi e madhe parash, ndërkohë që mjeti i tij ishte pa targa.

Sipas prokurorisë dy prej të arrestuarve Emiljano Prenga dhe Nuredim Kasmar rezultojnë të dënuar më parë, ndërkohë që Prokuroria nuk ka sqaruar ende se kush qëlloi i pari në përplasjen për arsye politike.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se prokurorët për çështjen e përplasjes me armë në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë kanë dorëzuar në Gjykatën e Elbasanit kërkesën për masën e sigurisë “Arrest me burg” për të gjithë ish-oficerët e ngritur për Strukturën për ruajtjen e votës.

Kujtojmë se pas vrasjes së Xhuvanit u arrestuan shtetasit: Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim. Si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”

Ndërkohë mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Fax News, në ambientet jashtë Gjykatës së Elbasanit ka pasur një prani të madhe të forcave të RENEA-s.

Nuk dihet nëse ka indicie për ndonjë përplasje apo grumbullim përpara Gjykatës, ndërkohë që dinamika e ngjarjes mbetet e pazbardhur, sa kohë që ende nuk dimë se kush ka qëlluar i pari gjatë përplasjes me armë.

(E.K/Faxweb.al)

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re