Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, familjet e të zhdukurve do të mund të padisin Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, të gjitha familjet do të kenë akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ata do të mund ta padisin Serbinë për shkelje të së drejtës për jetë të anëtarëve të familjes, shkelje të së drejtës për dinjitet njerëzor dhe shumë të drejta të tjera. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, por më së shumti familjet të cilëve u është mohuar drejtësia për 25 vjet”, tha Osmani gjatë shënimit të Ditës së të Pagjeturve.

 “Kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, vazhdimisht i ka dërguar letra Serbisë në të cilat ka kërkuar që në përputhje me marrëveshjen në Bruksel, të hapen arkivat policore dhe ushtarake në të cilat ka dëshmi të qarta për pjesëmarrje në masakra, por edhe në operacionin e pasluftës për fshehjen e eshtrave. Serbia ende vazhdon të shkelë këtë marrëveshje shumë të rëndësishme të arritur në Bruksel”, shtoi ajo.

Ajo tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë me familjet, për të ndarë dhimbjen, sepse të 1600 të pagjeturit janë familjarë të gjithë Kosovës.

Është plaga jonë, plaga e Kosovës, e cila do të mbetet e hapur derisa të gjithë të kthehen. Liria do të jetë e plotë vetëm kur të gjithë të dashurit tanë të kthehen tek ne”, ka përfunduar presidenti i Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re