Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për emisionit “Kjo Javë” në ‘Neës 24’ të gazetares Nisida Tufa deklaroi se çështja e Teatrit Kombëtar është aferë e pastër korruptive.

Teksa parashtroi faktin se ku gjeti qeveria 30 milionë euro për teatrin, me ironi Basha shtroi pyetjen se mos vallë ato i përkasin kryebashkiakut Veliaj, duke e quajtur atë “Lali Fiku”.

Mes të tjerash lideri i PD-së tha se për çështjen e teatrit vihet në provë vijueshmëria e disa institucioneve, siç është SPAK, që sipas tij duhet të hetojë vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e teatrit.

“Teatri është afera e radhës e korrupsionit të Edi Ramës. Ajo që përshtypje, ju bën përshtypje të gjithë qytetarëve është që ne jemi i vetmi vend në botë që në mesin e pandemisë, qeveria në mënyrë të paligjshme, duhet theksuar në shkelje të ligjit, po vrapon të shembë një ndërtesë, e cila është një monument kulture, është shumë më shumë se kaq, është një simbol, me një aferë të shumë përfolur që është e lidhur me zaptimin e territorit dhe ndërtimin e kullave aty, apo jo?!

Tani papritur thonë: jo, afera e parë e ndërtimit të kullave me koncension për momentin është vënë në aneks, nuk ka rënë, por teatrin do ta bëjmë me lekët tona. Me çfarë lekësh?! Me lekët e shqiptarëve që i ke lënë në mes të katër rrugëve?! Unë kam takuar këtë javë siç e treguat edhe ju ditë për ditë qytetarët dhe bizneset në Tiranë, në Durrës, në Sukth, në Divjakë kam takuar fermerë, në Karbunarë të Lushnjës, gjendja është aty ku nuk mban më.

Shuma totale që Edi Rama ka nxjerrë nga thesari, ka nxjerrë nga taksat e shqiptarëve, në këto dy muaj e më shumë të pandemisë nuk kalon 60 milion euro, është 58 milion euro sot që flasim, dje nuk është bërë asnjë pagesë ndërkohë që paske të harxhosh 30 milion euro për teatrin?! Lekët e kujt janë këto? Të Lali fikut apo të Edi Ramës, sëndukut të Surrelit?! Nga i nxjerr këto lekë, këto janë lekët e shqiptarëve apo jo? Si ka mundësi ti me 30 milion euro mund të kishe mbyllur dy muaj fasonët dhe kishe dëmshpërblyer pagesat. Teatri Është një aferë e pastër korruptive, është grabitje, është vjedhje, ndërsa mënyra sesi bëhet tregon qartë që këtu nuk funksionon asnjë normë e shtetit ligjor.

Ky është një test gjithashtu edhe për disa institucione të ngritura rishtazi siç është SPAK-u, i cili urgjentisht duhet të hetojë falsifikimin e vendimit të Këshillit Bashkiak. Por po kështu duhet të hetojë edhe anën e paligjshmërisë. Nuk ka të drejtë bashkia e Tiranës të shembë një monument kulture. Pra i gjithë ky vrap, i gjithë ky turravrap bëhet me një dhe vetëm një qëllim: për të hequr vëmendjen nga fakti që Edi Rama është kryeministri më i dështuar në Ballkan si rezultat i dështimeve të të cilit, si rezultat i mungesës së ndihmës ekonomike për njerëzit dhe për familjet në nevojë, për bizneset dhe fermerët, Shqipëria ndodhet para një dimri ekonomik, më të keqin e gjithë Ballkanit. Kriza ekonomike do të jetë me e thellë”, tha Basha.

Basha tha se Rama duhet të shkojë për ndjekje penale si përgjegjës për infektimin e dy bashkive përmes fasonerive. “Edi Rama i la fasonët hapur dhe infektoi dy rrethe të tëra. Asnjë kryeministër në botë nuk ka që të marrë përsipër, dhe në fakt duhet të shkojë urgjentisht për ndjekje penale se është ai përgjegjësi që ka infektuar Krujën, Kurbinin dhe dje kemi parë prapë infektime në Durrës. Pse?

Sepse i ka rrasur nënat, gratë dhe vajzat shqiptare në hapësira të vogla ku infeksioni është përhapur megjithëse kemi dy muaj që i themi se këto janë vatra infeksioni. Infeksioni është përhapur në mënyrë marramendëse, kanë infektuar njëra-tjetrën, kanë infektuar qytete të tëra sepse refuzon t’i paguajë. Sepse paratë prej taksave të shqiptarëve që ua ka rritur 7 vite me rradhë, ia çon prapë se prapë inceneratorëve, ia çon oligarkëve. E patë se çfarë bëri? Ka hequr TVSH-në e jahteve. Kush blen jahte?

Oligarkët blejnë jahte, pasanikët blejnë jahte. Për këtë kishte ngelur Shqipëria për të hequr TVSH-në e jahteve?! Pra qartësisht kjo javë ka demaskuar edhe më shumë atë që shumë shqiptarë e kanë ditur edhe para pandemisë, por pandemia po e nxjerr lakuriq, që ky kryeministër është e keqja e këtij vendi, është e keqja e njerëzve, që Edi Rama nuk mendon për njerëzit. Mendon vetëm për pushtetin e tij, mendon vetëm për pasurimin e tij dhe të një grushti njerëzish dhe pjesë e kësaj është edhe Teatri Kombëtar.

Parashikimiet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim tregojnë se kriza ekonomike në Shqipëri do të jetë më e thella dhe për këtë ka një dhe vetëm një përgjegjës. Qoftë kriza ekonomike që po thellohet, qoftë tenderat sekretë dhe vjedhja e parave të shqiptarëve në kohë pandemie dhe batërdia me teatrin, e gjithë kjo batërdi ka një përgjegjës dhe ky është Edi Rama”, pohoi lideri i PD-së.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re