Në një intervistë që Zëri i Amerikës ka realizuar me kreun e diplomacisë së Tiranës, Ditmir Bushati, e ka parë me vend që të pyesë dhe në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Dhe pse larg kësaj çështjeje nga pikëpamja e profilit, VOA ka gjetur pikëlidhjen mes përgjegjësisë së Bushatit si ministër i Jashtëm dhe fatit të godinës teatrore të cilën qeeveria kërkon ta zëvëndësojë me një të re.

Nga ana tjetër, Bushati ka folur dhe në lidhje me marrëveshjen që pritet të nënshkruhet me Greqinë, ku sërish rrëzon pretendimet se çështja çame nuk është përfshirë aty.

Zoti ministër, po i kthehem një çështje që ka ngjallur shumë debat në Shqipëri, asaj që lidhet me teatrin kombëtar. Sot presidenti Ilir Meta e ka kthyer për rishqyrtim në parlament ligjin që parashikon ndër të tjera shembjen e teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri. Ndër të tjera në argumentimin ligjor që ka parashtruar presidenti, thuhet se ky ligj bie ndesh me standarded dhe vlerat europiane si dhe parashikimet e marrëveshjes se Stabilizim Asociimit. Keni ndonjë koment lidhur me këtë çështje?

Presidenti ka shfrytëzuar një prerogativë një ia njeh Kushtetuta për ta kthyer mbrapsht një ligj që sipas tij nuk është në përputhje me standardet e kërkuara. Nuk jam njohur në detaje me argumentet që ka dhënë presidenti i republikës. Mendoj që gjithë kjo kohë do të shfrytëzohet maksimalisht nga ana e kuvendit, deputetëve në kuvend, për t’i shqyrtuar të gjitha këto sygjerime apo kundërshti të presidentit të republikës. Në dijeninë time nuk ka një çështje që të prek marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Natyrisht për teatrin ka pas shumë teatër, por është e rëndësishme që në çdo rast të mbrohet interesi publik, meqënëse kjo është një çështje që ngërthen një interes të lartë publik, nuk është thjesht dhe vetëm një çështje e aktorëve apo arkitektëve. Nuk e kam të mundur të hyj në një debat teknik rreth dobishmërive të ndryshme që do të burojnë nga ky proces, por mendoj që të gjitha institucionet kanë folur dhe ne duhet të ndjekim logjikën që imponon procesi kushtetues dhe ligjvënës në vend. Kuvendi do të thotë fjalën e tij sërisht besoj lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë edhe Komisioni Evropian ju ka dërguar disa pyetje lidhur me këtë çështje, ku kërkohet sqarim mbi procedurat që janë ndjekur në këtë rast. Duket se ka një shqetësim që kalon përtej shqetësimit publik në Shqipëri.

Është normale sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re me procesin “Screening” dhe ne jemi në fazën e inventarizimit të të gjitha ligjeve, praktikave dhe sjelljes institucionale në përputhje me acquis-në e BE-së dhe në këtë drejtim Komisioni Evropian ka kërkuar një informacion sa më shterues në lidhje me procedurat që janë ndjekur për këtë çështje.

Çfarë përgjigje keni dhënë?

 Pyetjeve të Komisionit Evropian, institucionet përkatëse që kanë qenë të përfshira drejpërdrejt në këtë proces i janë përgjigjur në mënyrë shteruese qoftë për sa i përket lidhjes me interesin publik apo edhe lidhjes me çështje të tjera që shkojnë përtej thjesht logjikës së funksionimit të legjislacionit shqiptar.

Nëse mund të ma përmblidhnit në një fjali. Në sintezë çfarë i keni thënë Komisionit Evropian?

Komisioni Evropian ka qenë i interesuar për të kuptuar logjikën që është ndjekur për rastin në fjalë dhe mënyrën se si janë respektuar procedurat. Insitucionet që kanë qenë të përfshira për këtë çështje kanë kthyer përgjigjen në lidhje me respektimin e këtyre procedurave që unë sapo shpjegova.

Zoti ministër lidhur me votimin në parlament. Ka reaguar kryetari i bashkisë së Tiranës zoti Erion Veliaj që shprehet i sigurt se ligji do të votohet sërisht në parlament. Nuk është ky një koment i nxituar i kryetarit të bashkisë, nisur nga fakti që ai nuk është as antar i parlamentit, nuk mund të vendosë ai se si mund të votohet atje….dhe a mund të shfrytëzohej ky moment për një konsensus më të gjerë?

Kjo nuk është një çështje që ka lidhje me konsensusin politik. Nuk është nga ato reforma që kanë të bëjnë me procesin e shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të procesit demokrati, siç është rasti i reformës në drejtësi apo asaj zgjedhore. Po nga ana tjetër është një projekt i bashkisë së Tiranës, i mbështetur nga qeveria, nga kuvendi dhe ky është pak a shumë leximi që unë i bëj deklaratës apo qëndrimit të sotshëm të kryetarit të bashkisë. Ka qenë po kryetari i bashkisë, i cili ka qenë promovues i një procesi dialogues me aktorë, arkitektë, me grupe të ndryshme të interesit dhe është krejt normale që kryetari i bashkisë të ketë një opinion për këtë çështje.

A ka vend më për konsensus?

Edhe njëherë thashë që kjo është një çështje që ngërthen interesin publik dhe besoj se koha në dipozicion do të shfrytëzohet me efektivitet nga të gjitha instancat shtetërore dhe jo vetëm.

     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re