Vendimin e qeverisë për t’ia dhënë bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar, për pedagogun dhe aktivistin Ervin Goci është shkelje e rëndë e kushtetutës.

Në një intervistë për Ora News, Goci tha se qeveria praktikisht është duke hequr dorë nga identiteti kombëtar. Për bashkinë e Tiranës, Goci deklaroi se është një institucion i rrezikshëm që di të japë vetëm leje ndërtimi.

“Unë mendoj që jemi në një situatë antikushtetuese. Është një nga hapat e radhës dramatik nga pikëpamja e administrimit të pasurive publike. Lihet pasuria më e madhe dhe i kalohet ndërtimi bashkisë Tiranë. Praktikisht është duke hequr dorë shteti nga identiteti kombëtar, sepse Teatri Kombëtar është një institucion identiteti.

Kjo për mua është shkelje e rëndë kushtetuese që ti të lëshosh pasuritë kombëtare dhe tja japësh bashkisë, e cila ka treguar që përveçse jep leje ndërtimi nuk di të bëjë asgjë.

Pra është një institucion i rrezikshëm, i cili vetëm ka abuzuar me hapësirat tona publike. Çështja e teatrit nga një çështje politike, e ndërtimit të një teatri të ri, tani kalohet në një çështje trualli dhe një çështje pushtetit lokal. Është një degradim”, tha Ervin Goci.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re