Edhe në Itali po ka një “Teatër” që ka përplasur edhe palët politike. Eshtë një linjë hekurudhore me Francën.

Italia i ka premtuar Bashkimit Evropian se do përfundojë linjën e re me fqinjin, njoftoi presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

Sassoli shkroi në Twitter se vendimi i Italisë për të zbatuar një projekt të diskutueshëm që përfshin ndërtimin e një tuneli të gjatë 58 km nëpër Alpet dhe bashkëfinancuar nga BE, është “lajm i mirë”.

Përfundimi i ndërtimit të një hekurudhe me shpejtësi të lartë (TAV) që lidh Lyonin dhe Torinon ndau koalicionin qeverisës në Itali.

Lëvizja 5 Yje ka kundërshtuar prej kohësh projektin, duke theksuar se Italia ka nevojë për përmirësimin e rrjetit hekurudhor ekzistues, ndërsa partneri i koalicionit, LEGA, është në favor të ndërtimit të kësaj hekurudhe.

Më parë, kryeministri italian Giuseppe Conte tha se bllokimi i ndërtimit të një lidhjeje hekurudhore do të ishte më e kushtueshme për Italinë sesa ndërtimi, duke sugjeruar që të ndalohej bllokada e veprës.

Italia duhet të marrë një vendim mbi projektin deri më 26 korrik, një afat i caktuar nga Bashkimi Evropian.

Të shtunën, një protestë e madhe u mbajt kundër projektit në Piemonte, ku po ndërtohet tuneli kryesor i linjës hekurudhore.

Gjatë protestës, policia u përgjigj me gaz lotsjellës kur një grup protestuesish u përpoq të thyejë kordonin e policisë dhe të arrinte në vend, njoftoi ANSA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re