Dy krerët e politikës, Rama dhe Basha, u përfshinë në një përplasje në distancë me temë “Teatrin”.

Kryeministri Rama denoncoi një rast kur Basha si kryetar Bashkie, ka qenë gati për t’i dhënë Teatrin Metropol si hapësirë e godinë, deputetit të tij Astrit Veliaj, president i Universitetit UFO.

“Këtu më nxori një shkresë e Florion Mimës që ia dërgon Lulzim Bashës kur ishte kryetar i Bashësië, kërkoi privatizimin e teatrit Metropol, në llogari të deputetit Astrit Veliaj. Kërkuan privatizimin për të ndërtuar pallat me dyqane dhe me dhoma gjumi. Estrada është domen ekskluziv i PD dhe e drejta legjitime e Bashës, e Mimës, që për estradën të kenë fjalën e fundit, por në rastin konkret jemi përpara një shembulli që ballafaqojnë fytyrën e tyre të vërtetë”, tha Rama.

Basha reagoi duke thënë se dokumenti ishte i pavlerë:

“…kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit është aty! Kinema 17 Nëntorin, Kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”, u shpreh Basha.

Sakaq, Rama shprehu këmëngulësinë për ndërtimin e Teatrit të ri.

“Ajo godinë nuk mund të quhet teatër dhe as monument kulture. Ne do ta kthejmë në një teatër më të bukur dhe më modern të rajonit. Ata kishin një teatër në dorë dhe e kthyen në objekt të skeçit të estradës së tyre. Ne do të vazhdojmë të shkojmë përpara dhe do t’i thyejmë të gjitha këto barriera që ngrihen mes nesh”, tha Rama.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re