Skip to content

Tedi Blushi kërkon transparencë për ndërtimet pa leje në Tiranë: Pse shembni bujtinat në Theth dhe jo kullat në kryeqytet?

Tiranë, 15 Korrik 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare për informacion katër institucioneve shtetërore, ku kërkon transparencë lidhur me ndërtimet pa leje në Tiranë dhe shkatërrimin selektiv të objekteve në Theth.

Në kërkesën drejtuar Bashkisë së Tiranës, IKMT-së, Kadastrës dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, Blushi ngre shqetësimin se, ndërsa në Theth po shemben bujtina tradicionale, në Tiranë po tolerohen ndërtime shumëkatëshe pa leje në zona të njohura si Sheshi Skënderbej, Astiri, Farka, Komuna e Parisit, etj.

Blushi kërkon informacion konkret për:

  1. Listën e ndërtimeve pa leje në Tiranë (2013–2025), përfshirë vendndodhjen, ndërtuesin, numrin e kateve dhe masat e marra.

  2. Legalizimet e objekteve shumëkatëshe pa leje, me të dhëna për subjektet dhe institucionet që i kanë miratuar.

  3. Lejet e ndërtimit të dhëna pa verifikim të burimit financiar, si dhe dokumentacioni përkatës i dorëzuar nga ndërtuesit.

  4. Masat ndaj zyrtarëve që kanë heshtur apo favorizuar ndërtimet pa leje, përfshirë hetimet, pezullimet apo ndëshkimet.

  5. Raport mbi prishjet selektive të ndërtimeve pa leje në Tiranë dhe kriteret që janë ndjekur për shembjet.

  6. Arsyet përse nuk janë shembur ndërtimet pa leje në Tiranë, ndërkohë që po prishen objektet në zonën turistike të Thethit.

Kërkesë për transparencë dhe paralajmërim për ndjekje ligjore

Blushi thekson se kjo kërkesë mbështetet në Ligjin Nr. 119/2014 për të drejtën e informimit, dhe kërkon përgjigje brenda 10 ditëve pune.
Në rast të mosdhënies së informacionit, ai paralajmëron se do të ndjekë procedurat ligjore pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Gjykatës Administrative.