Skip to content

Tedi Malaveci rizgjidhet në krye të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për mandatin 2026–2030

IMG 6447

Tedi Malaveci do të vijojë të drejtojë Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë edhe për katër vitet e ardhshme, pas rivotëbesimit të marrë nga anëtarësia e organizatës profesionale për periudhën 2026–2030.

Vendimi u mor këtë të enjte, më 24 shtator, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës, ku përveç pozicionit të kryetarit, u votua edhe për zgjedhjen e organeve të tjera drejtuese që do të udhëheqin institucionin gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.

Gjatë viteve të angazhimit të tij profesional, Tedi Malaveci ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon Institutin e Ekzekutimit të Detyruar. Ai është përfshirë drejtpërdrejt në hartimin e akteve ligjore e nënligjore, si dhe në përgatitjen e dokumenteve me rëndësi për unifikimin e procedurave përmbarimore në vend.

Ndër punimet kryesore që mbajnë autorësinë e tij është “Manuali i modularëve të unifikuar për kryerjen e veprimeve procedurale përmbarimore”, shoqëruar nga një sërë direktivash, rregulloresh dhe udhëzuesish orientues për veprimtarinë standarde përmbarimore.

Në aspektin profesional, Malaveci mban titullin e avokatit prej vitit 2006 dhe është certifikuar si përmbarues gjyqësor privat në vitin 2010. Në vitin 2021 ai është certifikuar edhe si “Trajner profesionist ndërkombëtar”, pas përfundimit të një programi njëvjeçar për trajnimin e trajnerëve (ToT), të zhvilluar në kuadër të një programi të qeverisë gjermane përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Prej vitit 2021, Malaveci mban gjithashtu detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve. Në të njëjtin vit, ai u bë pjesë e Komisionit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, funksion të cilin e ushtroi gjatë periudhës 2021-2025.