Në një kohë kur e gjithë bota është përfshirë nga “ethet” e koronavirusit, të shumta janë teoritë që ekzistojnë në lidhje sëmundjen që po merr mijëra jetë njerëzish në të gjithë globin.

Ka teori që lidhen me origjinën por ka edhe teori të ndryshme në lidhje me mënyrat e shpërndarjes dhe mënyrat e “shërimit”. Një ndër këto teroi është që koronavirusi mund të ishte pasojë e teknologjisë 5G, ose të paktën që kjo e fundit rrit mundësitë për t’u infektuar.

Gjithsesi, si duket, shkenca e mohon kategorikisht këtë gjë.

Teoritë aktuale ndahen në dy grupe: teoria sipas të cilës teknologjia 5G ul imunitetin e organizmit, duke e bërë njeriun më të brishtë e rrjedhimisht duke u prekur me lehtësisht, dhe teoria e dytë pretendon se është pikërisht 5G shkaktare e Covid-19.

Për Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë qelizore në Universitetin Britanik Reading, tëoritë rreth rrjetit 5G janë të pamundura.

Ai shpjegon se prania e valëve radio me frekuencë të lartë mund të influencojë në fiziologjinë e njeriut duke rritur temperaturën e trupit dhe duke dobësuar sisitemin imunitar, por duke qenë se valët e 5G kanë frekuenca mes 3-30 Ghz, këto bazuar në studimet e deritanishme, nuk arrijnë të dëmtojnë qelizat, ndryshe nga sa ndodh me rrezet diellore ose ato X.

Ndërsa duke ju referuar teorisë tjetër sipas së cilës është 5G që e ka transmetuar virusin, komuniteti shkencor thotë se virusi transmetohet në rrugë ajrore, dhe në bazë të të gjitha studimeve në laborator mbi të, konkluzioni është se viruset dhe valet elektromagnetike që shfrytëzojnë celularët, funksionojnë në mënyra totalisht të ndryshme.

Si pasojë e këtyre “gojëdhënave”, në Britaninë e madhe në zonat e Birmingham dhe Merseyside janë djegur antena të rrjetit 5G. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re