“Sapo pata një telefonatë të gjatë dhe shumë produktive me presidentin rus Vladimir Putin. “Diskutuam Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të ndryshme”, ka shkruar Donald Trump në “Truth”, duke bërë të ditur bisedën telefonike që ka pasur me presidentin rus Putin, të konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, i cili ka folur për një bisedë që zgjati rreth një orë e gjysmë.
“Ne të dy reflektuam për historinë e madhe të kombeve tona dhe për faktin që luftuam së bashku me kaq sukses në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar se Rusia humbi dhjetëra miliona njerëz dhe ne gjithashtu humbëm kaq shumë! – vazhdoi ai – Secili prej nesh foli për pikat e forta të kombeve tona përkatëse dhe avantazhet e mëdha që do të kemi një ditë duke punuar së bashku.
Trump njoftoi se ai dhe Putin “kanë rënë dakord të punojnë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitën e vendeve të njëri-tjetrit.
Ne gjithashtu ramë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat (për Ukrainën) dhe ne do të fillojmë duke telefonuar Presidentin ukrainas Zelensky për ta informuar atë për bisedën, të cilën do ta bëj tani. I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, drejtorit të CIA-s John Ratcliffe, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz dhe ambasadorit dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff të udhëheqin negociatat, të cilat besoj me vendosmëri se do të jenë të suksesshme.
Presidenti rus, konfirmoi zëdhënësi i tij Peskov, ra dakord me qiramarrësin e Shtëpisë së Bardhë se një “zgjidhje afatgjatë” në Ukrainë mund të arrihet përmes negociatave. “Putin theksoi nevojën për të adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe ra dakord me Trump se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave paqësore”, raportoi Tass.
“Dua të falënderoj Presidentin Putin për kohën dhe përpjekjen e tij në këtë thirrje dhe për lirimin dje të Marc Fogel, një njeriu të mrekullueshëm të cilin personalisht e përshëndeta mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë.” Kështu përfundoi postimi i gjatë i presidentit amerikan ku njoftonte bisedën telefonike me presidentin rus. Marc Fogel është mësuesi amerikan i cili u lirua dje nga Moska, pasi u dënua me 14 vite burg për posedim të drogave të lehta, të cilat i përdori për shëndetin e tij. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu lirimin e një të burgosuri amerikan dhe tre personave të tjerë nga Bjellorusia, raportoi CNN.
