Gazetari dhe pronari i televizionit më të ri, SyriTV, ka dhënë një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ku ka treguar planet e tij për ndërtimin e këtij televizioni dhe çfarë do të përfaqësojë ai në tregun mediatik shqiptar.

Peka ka thënë se media nuk është çështje emrash të mëdhenj, por çështje vullneti. Ai zbulon për publikun se në televizionin e tij do të punojnë një sërë gazetarësh, ku më e spikatura duket Ambrozia Meta.

Ai shprehet se SyriTV do të vijojë në linjën e portalit Syri.net, duke përdorur fjalinë me shumë kuptim opozitar, “nga një sy tashmë do të kemi dy sy!”.

Peka shprehet se televizioni i tij do të ketë një bord ku do të merren vendimet. Mbetet për t’u parë se çfarë funksioni do të kryejë ky bord, duke qenë se televizionet informative në Shqipëri kanë filluar ta përdorin fjalën bord dhe këtë koncept, vend e pa vend.
Mësohet se bordi i zotit Peka, do të këte një emër të rëndësishëm brenda tij dhe ai është gazetari i njohur, Andi Bejtja.

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese këtij projekti të zotit Peka!

Intervistën e plotë të Çim Pekës për gazetën “Koha Jonë”, mund ta lexoni më poshtë.

/TPZ.al/

INTERVISTA:

Pyetje 1: Keni paralajmëruar se “shihemi në janar me nje stacion te ri televiziv Syri TV”. Bile nënteksti ishte provokues dhe sfidues për televizionet e tjera tashme kombëtare dhe tradicionale. Eshtë thjesht marketing, që prapë pranohet, apo do jetë televizion që do konkurojë realisht të tjerët, duke qenë investigues?

Çim Peka: SYRI TV është një projekt i imponuar nga dy rrethana tejet përcaktuese. E para dhe besoj më e rëndësishmja ka të bëjë me represionin të cilit i janë nënshtruar sidomos në vitet e fundit, media vizive në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo që po ndodh me median në Shqipëri është në kufijtë e nënshtrimit që vjen si pasojë e presionit, miklimit me para publike dhe nevoja e qeverisë për të mbyllur gojët e pakta që ngrene zërin kundrejt abuzimeve të panumërta që ajo prodhon cdo ditë. E dyta, suksesi që ka patur SYRI.net në 4 vite që prej hapjes e bëri të domosdoshme hapjen edhe të një ‘syri’ tjetër, këtë herë televiziv për ta bërë punën hulumtative të gazetarëve tanë sa më të pranishme edhe për publikun e cili jo medoemos përdor plaftormat online për të informuar. Investigimi, publikimi i informacioneve sensitive e të tjera si këto është në AND-në e SYRI-t, kështuqë i vetmi ndryshim është se tashmë për të bërë atë që dimë të bëjmë më mirë, nuk do të përdorim 1, por dy “sy” për të parë e për t’ia përcjellë publikut atë çdo ditë mediat pro-qeveritare mundohen ta fshehin!

Pyetje 2: Ky optimizëm zakonisht kap çdo themelues të një media të re. Pyetja mbetet: a keni staf me emër të konsoliduar që do ti konkuroni apo do fusni brez të ri në gazetarinë televizive?

Çim Peka: Ne nuk jemi as optimistë, as entuziastë, por qartazi realistë. Media nuk është më shumë çështje emrash sesa çështje e vullnetit të atyre që punojnë në të për të bërë punën e tyre në shërbim të interesit publik. Unë mund t’iu siguroj juve si media dhe lexuesin e tuaj, se publiku nuk e njeh 90% të gazetarëve dhe punonjësve të portalit SYRI.net, por janë po këta gazetarë “të panjohur” që me punën e tyre prej 4 vitesh e kanë bërë portalin tonë ndër më të lexuarit në vend. SYRI TV është vijimi i këtij modeli modestie, por përkushtimi ndaj të vërtetës dhe interesit më të mirë publik. Gazetarët e ofruar deri tani në redaksinë tonë gjithësesi janë profesionistë të padiskutueshëm sëpari sa i takon intergritetit të tyre, e sëdyti në njohjen e hollë që kanë në raport me fushat që mbulojnë. Ambrozia Meta është një gazetare që 3 vite më parë ishte një emër i panjohur për publikun, por të gjithë e dinë tashmë nervin e saj veçse profesional për tu përballur me aktorët politik pa dallim logoje politike. Prej disa muajsh ajo është pjesë e SYRI TV. Moderatoret Klaudia Karabolli, Armela Ferko e Bledar Marku mund të konsiderohen pa frikë si figurat e freskëta të përçimit të lajmit me profesionalizëm dhe dinamikën e nevojshme që i nevojitet SYRI-t. Kryeredaktorët Ilir Hoxha dhe Romir Saraçi janë padiskutim dy emra personalisht për mua me kontribut të padiskutueshëm në median shqiptare, dhe sot në timonin e SYRI TV, ata janë garancia se ekrani ynë do të jetë vazhdimësia e kulturës më të mirë të përcjelljes së lajmit me profesionalizëm e sa më në kohë reale, duke qenë se formati ynë do të jetë informative.

Pyetje 3: Dita e enjte si rregull quhet se është “pushtuar” nga “musketjerët” mediatikë si Blendi Fevziu, Sokol Balla, Eni Vasili dhe Artur Zheji. A keni ndonjë “musketjer” nën mengë që do shfaqet te Ju apo të enjten do ta dorëzoni të sipërpërmendurve?

Çim Peka: Duke rezervuar vlerësimin maksimal për secilin prej emrave që përmendët me sipër, me lej    t’ju kujtoj se puna e medias nuk është vetëm dita e enjte nga ora 21.00 deri ne 23.00. Duke rezervuar të drejtën e surprizës për javët në vazhdim me lejoni të theksoj se emisioni “Cim Peka Live” do të jetë i pranishëm në SYRI TV 3 herë në javë. Nëse SYRI TV do të ketë ndonjë ndonjë “musketier” në radhët e saj kjo mbetet për tu parë, por ajo që ju garantoj ëshë se në ekranin tonë e sigurtë është nuk do të ketë asnjë “Kardinal Rishelje”!

Pyetje 4: Televizioni juaj do jetë në linjën editoriale të portalit syri,net apo do jetë linjë tjetër editoriale?

Çim Peka: Linja editoriale e SYRI-t do të jetë e njëtrajtshme, qartazi opozitare. Është ajo që thashë në nisje të kësaj interviste, nga 1 tani do të kemi 2 “SY”!

Pyetje 5: Nëse thuhet investimi për këtë media televizive a është në përmasat e investimëve që kanë bërë televizionet e sotme të tjera private kombëtare apo me “xhepa me të lehtë”?

Çim Peka: Ne nuk jemi të pasur, por jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i teknologjisë të lejon që të bësh investime të vogla për një cilësi sa më të madhe. Investimi më i rëndësishëm për të cilin nuk do të “kursehemi” është ai në burime njerëzore të cilët besojnë, kërkojnë dhe duan të zhvillojnë një gazetari cilësore.

Pyetja 6: Në cilë platformë do shikohet televizioni i ri dhe prapë nëse mund të na thoni emrin e drejtorit të ri të televizionit?

Çim Peka: Drejtimi i Televizionit do të jetë modeli i menaxhimit përmes një bordi vendimarrje pjesë e të cilit tashmë prej pak ditësh është edhe gazetari i shquar Andi Bejtja. Televizioni momentalisht është pjesë e paketës dixhitale të TVSH-së dhe të Tring.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re