Nga: Abdi Baleta

Redaksia e revistës “Shenja“ kësaj radhe ka përzgjedhur një “temë më globaliste (mbarëshqiptare)”, duke u nisur nga konsiderata me të vërtetë shqetësuese për interesat shqiptare, që “viteve të fundit vijnë nga ndryshimet e hovshme gjeopolitike dhe një frymë e re në arenën ndërkombëtare”. Me të drejtë vihet në dukje se “Derisa në teorinë politike shqiptare situata në arenën ndërkombëtare ende shihet në frymën ‘bardh e zi’, realiteti na e dëshmon të kundërtën. Sot arena ndërkombëtare është shumë më komplekse sesa që pandehet nga shumica e atyre që mendojnë se zhvillimi diplomatik është një konstante e filluar në vitin 1990”. Është e vërtetës e teoritë politike shqiptare gjatë 30 vjetëve kanë mbetur të mbërthyera keq në kornizën e kontrasteve Perëndim-Lindje, sipas koncepteve “NE, Perëndimorët” dhe “ATA, Lindorët”. Prandaj në shtjellimet e mia po mbështetem tek një libër i shkurtër, që sapo e kam lexuar, me analiza e vlerësime që sillen e mbështillen rreth boshtit të marrëdhënieve “The West & the Rest” (Perëndimi dhe Të tjerët) dhe që harmonizohen mjaft mirë me perceptimet e mia të motiveve që e kanë shtyrë redaksinë të përcaktojë temën e numrit.
A duhet të mësojmë nga bota për të qarë hallet tona?

Autori i librit është një i panjohur deri tani për mua, Kishore Mahbubani, ish-përfaqësues i shtetit të Singaporit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në vitet 1984-1989 dhe 1998-2004. Libri është shkruar me mjeshtëri të lartë profesionale.

Mesazhi i parë i librit është vlerësimi pozitiv, i shoqëruar me pesimizëm se “Perëndimi ka qenë në vijën e parë të frontit në historinë botërore për pothuajse 200 vjet. Tani atij i duhet të mësojë ta ndajë, ndoshta dhe ta braktisë, këtë pozicion dhe t’i përshtatet një bote ku ai nuk mundet më të mbizotërojë. Perëndimi ka dështuar në krijimin e një strategjie globale për të përballuar situatën e re” (f. 7). Libri përmbyllet me vlerësimet paralajmëruese se “…Historia e ndryshoi drejtimin në fillim të shekullit XXI. Epokës së sundimit perëndimor po i vjen fundi” (f. 90). Midis këtyre dy mesazheve janë radhitur disa shkaqe të kësaj gjendjeje të re “(Perëndimi)… i verbuar nga madhështia krenare dhe arroganca bëri një seri gabimesh strategjike, duke ndërhyrë në vendet islamike, duke nënvlerësuar Islamin si fe dhe duke dështuar për të nxjerrë rrënjët e problemit, kur është fjala për terrorizmin. Ndërhyrja më pak e zgjuar ishte invadimi i Irakut në vitin 2003… Islami mund të jetë feja më dinamike, më vibruese në rruzullin tokësor” (f. 44, 45). Gabimi i dytë më i madh strategjik i Perëndimit ishte poshtërimi i Rusisë, tashmë të poshtëruar (f. 47)… Gabimi i tretë ishte ndërhyrja pa u menduar në punët e brendshme të një numri vendesh” (f. 49). Pas këtyre konstatimeve vjen dhe këshilla: “Ka ardhur koha që Perëndimi të heqë dorë nga politikat e tij dritëshkurtra e rrënuese dhe të ndjekë një strategji tërësisht të re ndaj pjesës tjetër të Botës… Perëndimi ka nevojë të arrijë një konsensues të ri për rolin e tij në historinë botërore” (f. 54).
Se si mund të jetë një strategjie tillë dhe çfarë mund të sjellë ajo për çështjen e interesat shqiptare nuk mund ta marrim saktësisht me mend tani. Por, “Tema plot dilema” duhet të hapë kapitullin e saj në vazhdimësi për këtë tematikë të re, që më duket mungon ende në “Shenja” dhe për një rishikim të qasjeve përmbajtësore dhe të fizionomisë së revistës, me pikësynim që të rrisë ndihmesën në debatin dhe “teorinë politike shqiptare”.

Këtë mendim ma ushqejnë motivet dhe vlerësimet komplekse e shqetësuese të redaksisë se “Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete bartës të politikave shqiptare, por dhe shqiptarët e Maqedonisë Veriore me një numër të konsiderueshëm të etnisë shqiptare, detyrimisht duhet të rishohin edhe një herë se ku ishim, ku jemi dhe ku mund të jemi në dekadën dhe dekadat që vijnë. S’do mend se çështja nuk varet vetëm nga ne. Faktori vendimtar, siç pëlqejmë ta quajmë Perëndimin, nuk është se nuk e ka bërë të ditur se edhe ai nuk e ka qasjen e njëjtë ndaj shqiptarëve, siç ka qenë para 10 apo 20 vjetësh. Kur gjithë kësaj i shtojmë edhe ca zënka me diplomatë perëndimorë, atëherë situata bëhet edhe më e nderë”. Dilemat dhe enigmat që rrjedhin nga këto vëzhgime kërkojnë trajtime me dinamikë të re, në më shumë se një numër të revistës në vazhdim, për një nismë më efikase në vetëpërmirësimin gjeostrategjik të mendimit politik shqiptar.
Nga duhet ta nisim?

Në librin e Kishore Mahbubanit mendoj se gjeta një fill ku mund të kapemi sa për fillim, kur ai analizon “Strategjinë e re 3M” (Minimaliste-Multilaterale-Makiaveliane). Në shpjegimin e idesë së tij ai shkruan: “Në botën tonë në ndryshim, Perëndimi ka nevojë të mësojë shumë nga Makiaveli dhe të ndërtojë një strategji dinake për të mbrojtur interesat e tij. Para 2500 vjetësh strategu legjendar kinez, Sun Cu këshillonte ‘Njihe vetveten, njihi armiqtë’.” Dinakëria strategjike është e vjetër sa vetë Bota (f. 65). Këshilla këtu është për Perëndimin, por mund të vlejë edhe për ne shqiptarët, që nuk kemi pasur e nuk kemi ndonjë strategji gjeopolitike kombëtare dhe jemi përplasur sa andej-këndej ndër gjeostrategjitë e huaja.

Megjithatë, edhe ne nuk kemi si të mos mendojmë për gjëra të tilla nëse duam ende të mbetemi këta që jemi ose të përmirësohemi në ndonjë drejtim. Mbase pikërisht tani ne shqiptarëve na vlen më shumëse kurrë ta shtrojmë si detyrë parësore “të njohim vetveten dhe armiqtë”, duke shtuar dhe një “kujdes të tretë”; të njohim e të nderojmë mirë dhe në masën e duhur miqtë. Deri tani ne shqiptarët kemi dëshmuar aftësi shumë të kufizuara për të njohur vetveten e problemet tona dhe synimet e veprimet e armiqve historikë e natyrorë. Kemi bërë shumë pak për t’ia thënë botës se cilat janë interesat, të drejtat e kërkesat tona themelore kombëtare, nga të cilat nuk mund të heqim dorë, pavarësisht nga vështirësitë me të cilat përballemi.
Por, edhe tani në sfondin teorik politik shqiptar po vërehen më shumë qasje çorientuesese ide e projekte për “të njohur më mirë veten dhe armiqtë”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur kohët e fundit një nismë të emërtuar “Këshillimi Kombëtar. Le të dëgjojmë njëri- tjetrin”. Rama këtë nismë e ka formalizuar në një fletushkë, ku radhiten 12 pyetje të standardizuara, që shpërndahet në mënyrë gjysmë të fshehtë, derë më derë, pa e ditur njeri se kush e ka sjellë. Në fakt, kjo fletushkë duket si një shpallje e njëkohshme e 12 referendumeve për të përforcuar monopolin kryeministror edhe në debatin politik e fushatat propagandistike për çështjet e brendshme dhe të jashtme të shoqërive shqiptare. Është zgjedhur rruga e një “votimi në heshtje të qytetarëve”, pa dëgjuar nga forca politike e shoqërore edhe pikëpamje të kundërta me ato që sugjeron kryeministri. Ndoshta është vetëm hamendësim i nxituar, por më krijohet përshtypja se qysh në numrin e shkurtit në revistën “Shenja” u shfaq hija e përpjekjes së parë në mbështetje të pyetjes 12 të fletushkës, nëpërmjet adoptimit të formulës së gjetur nga ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, “Integrimi sjellvetintegrimin”. Kjo formulë e maskon keq dhe shtrembëron edhe më tej tezën që për 30 vjet është përsëritur nga politika e propaganda shqiptare se “bashkimi i shqiptarëve do të bëhet vetëm në Europën e Bashkuar” dhe çështja e bashkimit kombëtar nuk u dashka shtruar më si e tillë as në mendimin e teoritë politike shqiptare.

Pse të bëhet “referendum shqiptar” për Serbinë e Madhe, e jo për Shqipërinë e Bashkuar?!
Për të mos i rënë më shumë rrotull problemit, po shpreh mendimin se në listën e gjatë të referendumeve që po kërkon t’u imponojë dinakërisht shqiptarëve Kryeministri Rama më problematiku është pikërisht ai me numrin rendor “12”, i redaktuar sipas pyetjeve standarde të fletushkës: “Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës ‘Ballkani i Hapur’ midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?”. Pas pyetjes janë renditur vetëm argumentet që Rama ka vite që i përsërit pa lëkundje: “Aktualisht ekzistojnë shumë barriera lidhur me lëvizjen e njerëzve, shërbimeve e të kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Krijimi i ‘Ballkanit të Hapur’ do të rrëzonte barrierat e lëvizjes së lirë sipas modelit europian, duke i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve avantazhe të reja ekonomike e sociale, si dhe do të promovonte më tej paqen në rajon”. “Këshillimi Kombëtar”reklamon vetëm variantin që do qeveria dhe nuk përmban informacion mbi argumentet e atyre që mendojnë ndryshe. Nuk i lihet qytetarit shteg tjetër i lirë, veç të votojë verbërisht “Po, Jo, Nuk e di”.
Kështu në Shqipëri po eksperimentohet një mënyrë e formë e re e organizimit të referendumeve, që i kthen këto mjete të demokracisë direkte në procedura pa vlerë e të rrezikshme për demokracinë. Votuesve fiktivë u organizojnë një referendum fiktiv me votime fiktive për çështje madhore si “përfshirja e Shqipërisë në Serbinë e Madhe”, të emërtuar “Ballkani Hapur”. Gjithçka trajtohet si të ishte fjala për ca kontrata për shitje perimesh e lëvizje kamionësh dhe jo për një tjetërsim të një pjese të statusit dhe individualitetit shtetëror të Shqipërisë. Kryeministri synon që, jashtë çdo kontrolli ligjor dhe institucional mbi mënyrën si shqiptarët do të votojnë e përse do të votojnë në këtë referendum, të grumbullojë disa vandakë të letrave të shpërndara në emër të një “Këshillimi Kombëtar”, që pastaj kryeministri të mund të justifikohet e të mburret se ai e mori pëlqimin e mbështetjen e shumicës së shqiptarëve për projektin e “Ballkanit të Hapur”.

Prandaj më tërhoqi vëmendjen për keq formula e Meidanit “Integrimi sjell vetintegrimin”, sepse kjo të thotë që shqiptarët të mos kujtohen së pari për bashkimin kombëtar, por të presin se çdo të sjellë për ta integrimi në “Open Balkans”, kur dihet se integrimet janë në radhë të parë “tëhuajësim e tjetërsim” dhe kur cakton si parësor integrimin do të thotë se e ke dëmtuar e jo ndihmuar vetintegrimin e mëvonshëm. Lojërat me fjalët në kësi temash serioze nuk kanë vlerë, por vetëm shtojnë sherrin. Prandaj mendoj se referendumi i 12-të është më problematiku në “Këshillimin Kombëtar” të kryeministrit, sepse shkon në dëm të zgjidhjes së çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar, inkurajon teoritë “auto-gjenocidale” për krijimin e kombit kosovar ose ndihmon dhe në procesin e venitjes së kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për çka ka lëshuar alarmin z. Zeqirija Ibrahimi në “Shenja” muajin e kaluar. Prandaj mendoj se duhet të kthehemi tek debatet e bëra për çështje të tilla gjatë 30 viteve. Me këtë rast unë po rikthehem tek një diskutim i bërë në gazetën “Flaka e Vllaznimit”, më 24 shkurt 1995, rreth idesë se:

“Bashkimi kombëtar nuk bëhet me referendum”
Pyetje: Aktualisht, siç e kemi të njohur, shqiptarët jetojnë dhe veprojnë në një hapësirë të copëtuar, të ndarë me disa kufij politikë. Si rezultat i kësaj, gjithsesi na preokupon edhe çështja e bashkimit kombëtar. Dhe kjo ishte parësore sidomos në fillim të viteve nëntëdhjetë. Pas kësaj disi sikur u zbeh. Megjithatë nuk është shuar përfundimisht. Kështu, prej 24-28 nëntor 1995 në Stamboll u mbajt Kuvendi i intelektualëve shqiptarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Siç jemi të informuar, në këtë kuvend është aprovuar edhe programi kombëtar. Ç’mund të na thoni lidhur me këtë çështje?

Përgjigje Abdi Baleta: Shikoni, çështja e bashkimit kombëtar nuk është çështje që mund ta shtrojë një njeri, pesë njerëz, një parti politike apo edhe një komb. Edhe sikur të mblidheshim gjithë shqiptarët, aq sa jemi, diku 7 milionë në Ballkan, dhe të themi nuk duam bashkim kombëtar, kurrsesi nuk kemi të drejtë, për arsye se do të vijë një brez tjetër, i cili do të na dënojë duke na thënë: Zotërinj të këtij brezi, ju keni qenë tradhtarë të të gjithë brezave të tjerë, se ne kemi pasur baballarë, gjyshër dhe stërgjyshër që shkojnë deri në thellësi të historisë. Dhe ne i respektojmë ato varre dhe jo këto tuajat që posa keni vdekur. Ne varret tuaja do t’i përdhosim, sepse keni tradhtuar gjithë varret e paraardhësve tanë. Kështu, ideja e bashkimit kombëtar nuk është çështje vullnetare që mund ta vendosin një grup apo një brez, ajo është imperativ, është urdhër historik që kombet e ndara duhet të bashkohen dhe njerëzit duhet të jetojnë së bashku brenda kombit të tyre. Në këtë kuptim mund të them se edhe pakica ka të drejtë. Në qoftë se janë pak njerëz që e duan bashkimin e kombit dhe më shumë që s’e duan, kanë të drejtë ata që e duan, e jo ata që s’e duan. Dhe kur themi që kanë të drejtë, kur të vijë rasti, ata kanë të drejtë edhe ta imponojnë. Bashkimi i kombit nuk bëhet me referendume, me plebishite, sepse është detyrë. Për 50 vjet u la anash, me fillimin e demokracisë u përdor si parullë. Ne e kemi përdorur sinqerisht. Por, nga politikanët që dolën në krye, fatkeqësisht shohim se kanë pasur për qëllim ta përdorin si parullë për t’i tërhequr njerëzit.”
Këtë pjesë arsyetimesh të para një çerekshekulli po e sjell këtu sepse para disa muajsh dy kryeministrat shqiptarë sapo dolën nga mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë në Elbasan pohuan se bashkimi kombëtar shqiptar është “aspiratë” (Rama) dhe “Intencë-Pikësynim” (Kurti) dhe se do të nënshkruanin në rast se bëhej referendum për këtë bashkim. U gëzuam që dy kryeministrat e shteteve shqiptarë bënë një pohim të tillë solemn. Por, mbeti e paqartë se kush do ta shtynte punën deri tek organizimi, sepse vetë referendumi vjen si kurorëzim ceremonial mbasi kushtet për bashkim të jenë përgatitur në terrene të tjera. Në përgjigje të pyetjes ngacmuese të një gazetari, Kryeministri Rama tha se ai nuk mund të hidhte fall se kur mund të bëhej një referendum i tillë. Kurse tani na dëshpëron me fallin që hedh për të mirat që mund të sjellë “referendumi” për të futur Shqipërinë në “Open Balkan” (shqip vilajetin e Serbisë së Madhe). Në pikën 12 të fletushkës “Këshillimi Kombëtar” Rama i josh shqiptarët me premtimin se po të dalë falli i tij për “Open Balkan” do të ketë edhe paqe e stabilitet në rajon. Kurse Mahbubani na thotë se specialistët ndërkombëtarë kur duan të tregojnë sa e keqe është gjendja në ndonjë rajon të botës (si në Indokinë) vazhdojnë ende ta marrin Ballkanin si sistem referimi për krahasimin. Prandaj, sërish më duhet të sjell pjesët e mëposhtme nga një intervistë dhënë gazetës “Telegraf” në Tiranë (https://telegraf.al.politika/abdi-baleta-gjermania– kerkon- te- ngrej-stanin-e-saj-në ballkan).

“Pyetja: Z. Baleta, sot, a mund të pohojmë që në Ballkan është krijuar një klimë e re mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, marrë shkak edhe nga Samiti i Vjenës?

Përgjigje Abdi Baleta: Kjo është vetëm fasadë. Ballkani është Ballkani që ka qenë. Ballkani është rajon i veçantë i Europës. Lufta e ftohtë në Ballkan nuk pushoi asnjëherë. Fytyra e Ballkanit nuk ka ndryshuar, siç pretendojnë disa. Në Ballkan kanë ndryshuar kufijtë, ka ndryshuar numri i shteteve, por kontradiktat dhe problemet ballkanike mbeten ato që kanë qenë.
Pyetje: Përse Europa e mban larg saj Ballkanin Perëndimor?

Përgjigje Abdi Baleta: Janë më shumë spekulime gjeo-strategjike që janë bërë. Politika globaliste e Perëndimit ishte e interesuar për ta shtyrë sa më shumë kufirin drejt Lindjes. U pranuan Bullgaria e Rumania, që nuk e meritonin të ishin anëtare në BE; siç nuk meritonte as Greqia, atëherë kur u pranua; sikurse edhe Sllovenia e Kroacia nuk kanë arritur ndonjë standard europian. Madje nuk e ka arritur as Polonia e Hungaria. Shtrirja e BE-së drejt Lindjes ka qenë më shumë shtrirje politike për të futur edhe Europën Lindore në skemën e globalizmit Perëndimor. Ballkanin Perëndimor BE do ta trajtojë si njësi, pasi u lodh me zgjerimin. Po të donte BE që ta integronte Ballkanin Perëndimor, do ta pranonte, pa i vënë asnjë kusht.

Pyetje: Udhëheqësit shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë e në Shkup kanë një unison. Do integrohemi siç jemi në BE dhe aty do bashkohemi si komb. Ju ç’mendim keni?

Përgjigje Abdi Baleta: Gjithë politikanët shqiptarë kështu bëjnë, shumica e “intelektualëve” tanë kështu thonë, sepse është formula më e lehtë, formula më e papërgjegjshme, për t’i shpëtuar përgjegjësive. Kur ishim në socializëm, na thonin se në socializëm do zgjidhet problemi. Është një letër e Jusuf Gërvallës, dërguar Enver Hoxhës, ku i thoshte se nuk mund të presim fitoren e revolucionit botëror, për të bërë bashkimin kombëtar. Edhe tani, duhet të themi: Nuk mund të presim ne, parajsën europiane, për të bërë bashkimin kombëtar. Se në këtë rrugë nuk ka ecur asnjë deri tani. Kjo është formula për t’i bërë bisht bashkimit kombëtar. Shqiptarët nuk mund të integrohen copa-copa në Europë. Shqiptarët ose duhet të integrohen me dinjitet dhe të kërkojnë të na bashkojnë, ose të paktën të mos na pengojmë, të hyjmë edhe ne, si kombet e tjera, të barabartë. Në Maqedoni më i zellshmi për këtë është Ali Ahmeti, që mori armët, u bë komisar i luftës, e që tani thotë se duhet të luftojë për integrimin e shtetit maqedonas. Një paradoks i madh. Ahmeti futi popullin shqiptar atje në luftë, që të bëjë shtetin maqedonas europian. Këtë nuk e kishim dëgjuar. Rizvan Sulejmani thotë se ku dallon serbi, sllavi dhe shqiptari nga programi kombëtar. Ai thotë që shqiptarët i dhanë përparësi integrimit mbi zgjidhjen e problemit të tyre, të çështjes kombëtare. Sllavët i dhanë përparësi zgjidhjes së problemeve të tyre kombëtare mbi integrimin. Dhe unë komentoj: Serbët dhe maqedonët, duke i dhënë përparësi zgjidhjes së problemeve të tyre kombëtare, diçka arritën. Shqiptarët, duke i dhënë përparësi integrimit mbi zgjidhjen e interesit kombëtar, nuk arritën asgjë.”
Mahbubani ka shkruar gjithashtu se “altruizmi kurrë nuk funksionon në marrëdhëniet ndërkombëtare… Prandaj dhe perëndimorët duhet të mbështeten në qasje makiveliane”. Shqiptarët kanë më shumë nevojë se gjithkush të ndjekin një gjeostrategji të tillë, por ka pak gjasa që të aftësohen shpejt për këtë. Studiuesit shqiptarë gjithmonë kanë ngatërruar studimet e mësimet e Makiaivelit mbi shkencën dhe artin e politikës e të diplomacisë dhe kanë mbetur robër të “makiavelizmit” në kuptimin e keq që i është dhënë këtij termi.
Burimi: Shenja.Tv

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re