Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës në vijim të operacionit të koduar “Tempulli 2”, ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht.

Policia thotë se personat përgatisnin dhe më pas shisnin në doza lëndën narkotike në afërsi të shkollave.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacione se disa shtetas shisnin lëndë narkotike kanabis, në doza, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, dhe në zonën “Don Bosko”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale”, thotë policia.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara:

▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në afërsi të një shkolle, në rrugën “Ismail Qemali”.

▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në “Don Bosko”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zonën “Don Bosko”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re