Një megaoperacion antidrogë është finalizuar nga policia, duke goditur në total 23 grupe kriminale. Kontrollet janë zhvilluar në 5 qarqe: Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Korçë.

 

Gjithsej janë lëshuar 296 urdhërarreste, ndërsa agjentët arrestuan 214 persona. Pjesa tjetër është në kërkim. Goditja kryesore është dhënë në Tiranë, ku mbi 80 trafikantë janë vënë në pranga.

 

Hetimet për këto grupe kanë nisur prej më shumë se 6 muajsh, duke u dokumentuar me përgjime dhe blerje të stimuluara. Policia bëri të ditur se grupet nuk kishin lidhje me njëri tjetrin, por disa prej tyre bashkëpunonin për trafikun dhe shitjen e kokainës, heroinës, kanabisit dhe drogave të llojit xhelatinë.

 

MUHAMET RRUMBULLAKU

DREJTOR I PERGJITHSHEM I POLICISE SE SHTETIT

 

Janë miratuar 296 masa sigurie. Janë miratuar 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera. Janë ekzekutuar 214 masa sigurie. Janë arrestuar ne flagrancë, gjatë kontrolleve, 19 shtetas. Janë shpallur në kërkim 82 shtetas. Pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale. Gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar provat materiale:Lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe Cannabis Sativa. Armë zjarri dhe armë të ftohta. Automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

 

Gjatë megaoperacionit agjentët zbuluan se një sasi droge vinte nga Kanadaja. Lënda narkotike e rritur me llamba dhe që jep efekt më të fortë transportohej në konserva apo në kapsolle, duke i shpëtuar skanerit të doganës.

Ky lloj hashashi si dhe drogat e tjera shpërndaheshin në zonat më të populluara të Tiranës si dhe të qyteteve të tjera, në klabet e natës, në afërsi të shkollave etj.

 

Ministri i Brendshëm tha se kjo është një kambanë alarmi, pasi trafikantët po u afrohen institucioneve arsimore.

 

TAULANT BALLA

MINISTER I BRENDSHEM

Do të paraqesim paketë për dyfishim të dënimit të krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë së shkollave, për shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Ky është vetëm fillimi! Nxis policinë e shtetit ta ruaj këtë qasje të re të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë ditës së sotme do nxjerrim konkluzione për mënyrë e organizmit të operacionit dhe qasje të reja ndaj një fenomeni që do të vijë duke u minimizuar sikur është rrjedhja e informacionit nga brenda policisë. Gjatë këtij operacioni nuk kemi pasur problematika të kësaj natyre, por ishte operacioni i parë i madh i këtij niveli. Mos u habisni që ngjarje të tilla t’i kemi më të shpeshta.

 

Në trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike ka patur të përfshirë edhe efektivë. Saimir Hysa, polic në Elbasan është vënë në pranga nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përkrahje të autorit të krimit.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton për të zbuluar nëse ka edhe efektivë të tjerë të implikuar.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re