Pas nisjes së procedurës verifikuese për tenderat sekretë të zhvilluara nga Ministrisë e Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë, Prokuroria e Posaçme kërkoi informacion nga institucioni që drejtohet nga Ogerta Manastirliu.

Një burim zyrtar i SPAK tha për News 24 se u kërkua informacion nga Ministria dhe në të njëjtën kohë iu drejtua me shkresë zyrtare edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Të premten, më 8 maj – theksoi burimi –  ministria na vuri në dispozicion një informacion dhe na bëri me dije se inspektorët e KLSH kishin filluar auditin. Tenderat e klasifikuar sekretë u bënë objekt përplasjes të forta mes Partisë Demokratike dhe institucionit të Shëndetësisë. Opozita akuzoi Ogerta Manastirliun se po bënte përpjekje për të zhdukur provat dhe ka shkuar deri aty se i vuri zjarrin institucionit. Si provë për këtë publikoi një email.

Ministria e Shëndetësisë pranoi se ka patur një incident në institucion 26 ditë më parë,  të shkaktuara nga një punonjëse, ndaj së cilës është marrë masë administrative. Sipas saj, opozita po kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, në një kohe që çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni.  Institucioni i drejtuar nga Manastirliu theksoi edhe njëherë faktin se nuk është dëmtuar asnjë dokument sikurse pretendon opozita.

Për të dytën herë gjatë së dielës, ministria e Shëndetësisë, reagoi dhe hodhi çdo pretendim, përfshirë edhe atë se ka refuzuar ti dorëzojë Prokurorisë së Posaçme, dokumentet e tenderave të klasifikuar sekretë, që u konsideruan si korruptivë nga Partia Demokratike.

“Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetë shpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19. Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko