Emisioni Stop ka trajtuar këtë të enjte skandalin me tenderin abuziv të Ministrisë së Drejtësisë  për byzylykët elektronikë. Në vitin 2011 në vendin tonë u miratua ligji për mbikqyrjen elektronike për të gjithë personat, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjykate.

Një pajisje elektronike do të monitoronte të gjithë personat e dënuar me arrest shtëpie, lirim me kusht, shërbim prove, ndalim qëndrimi në një vend të caktuar, apo me urdhër mbrojtje.

Në vitin 2016, kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Ylli Manjani i LSI, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, nxorri urdhrin për ngritjen e grupit të punës për caktimin e fondit limit për tenderin e mbikqyrjes elektronike.

Por në kohën kur zhvillohej tenderi, Kryeministri Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, duke e zëvendësuar me Petrit Vasilin po nga LSI.

Në 16 Shkurt, 2017 Komisioni i Ofertave doli me një raport përmbledhës mbi ofertat dhe Ministria e Drejtësisë shpalli fitues bashkimin e 3 operatorëve me vlerën rreth 234 milionë Lekëve të reja me TVSH. Pak muaj më vonë në krye të Ministrisë së Drejtësisë u vendos Gazment Bardhi i Partisë Demokratike si pjesë e qeverisë teknike, i cili konstatoi mungesën e byzylykëve elektronikë dhe parregullsi në procedurat e tenderimit.

Çështja u dërgua në Prokurorinë e Tiranës, por kjo e fundit pushoi çështjen për tenderin abuziv në vlerën e 234 milionë Lekëve të reja. Por pak muaj më vonë, raporti i auditimit i Ministrisë së Drejtësisë konstatoi mungesë ligjshmërie për tenderin problematik. Nga ana tjetër, edhe Ministria e Financave konstatoi një mori shkeljesh.

Pas gjithë këtyre fakteve, më në fund u regjistrua procedimi penal për shpërdorim detyre nga ana e funksionarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë.

Gazetari i emisionit Stop, Genci Angjellari ka biseduar me ish-ministrin e Drejtësisë Petrit Vasili, i cili thotë se në atë detyrë qëndroi shumë pak dhe nuk ka pasur lidhje me tenderin, pasi kishte nisur si procedurë.

Ish-ministri Petrit Vasili: Në Shkurt 2017, 3 muaj nuk kam pasur asnjë lidhje. Tenderi ka qënë i filluar, i kryer, i mbaruar. Kishte kohë, që kishte mbaruar, që në 2016-ën…Kështu që s’kam pasur asnjë procedurë në bashkëpunim dhe në veprim dhe …kështuqë s’kam pasur zero lidhje me këtë punë…

Gazetari: E kuptoj..! Vetëm për këtë doja!

Ish-ministri Petrit Vasili: Kishte mbaruar nuk ekzistonte më…si , si fenomen dhe gjithçka, që kishte brënda, s’kishte lidhje me ministrin, nuk ka lidhje ministri. E kupton? Edhe në fillim s’ka pas ndonjë lidhje me thënë të drejtën, mesa di unë, mesa pata parë, më kishte ardhur informacion mbaj mend, që …ne as nuk merreshim me proccedurën,ishte  një…, Sekretarja e Përgjithshme, nuk e di, si ishte puna…Ministri Manjani bile, i kishte deleguar të gjithë autoritetin, për t’u marrë në përgjithësi me procedurat administrative, kur nuk kishte asnjë rol ministri paraardhës. Imagjino unë, që punët kishin mbaruar, isha komplet, s’kisha asnje…vajta në fund të Shkurtit dhe ika në fund të Majit. Kam 3 muaj e ca as, që më interesonte fare…unë e vetmja gjë vëlla, as me tenderat, që ishin nuk merresha, sepse i kisha deleguar të gjitha, të venin të gjithë institucionet i hoqa fare nga Ministria.

Gazetari: E kuptoj!

Ish-ministri Petrit Vasili: E kam pas bërë edhe në Shëndetësi, kur kam qënë, gjërat që s’i takojnë Ministrisë, jepja të interesuarve, që kanë…

Gazetari: Qartë!

Ish-ministri Petrit Vasili: I kam qëndruar kësaj filozofie, jo për shumë para, miku im…

Gazetari: E kuptoj…!

Ish-ministri Petrit Vasili: Të gjithë kanë qëjf t’i bëjnë tenderat. Unë s’kam pas qejf t’i bëja domethënë …,nejse po ta kenë dhjerë gjëkundi, le të mbajnë përgjegjësitë përsipër, sepse në dorë e kanë pasur, për të mirën e institucioneve.

Një tjetër provë që tregon paligjshmërinë dhe shpërdorimin e fondeve publike është dhe një vendim Gjykatës Administrative, e cila detyroi bashkimin e 3 operatorëve, që t’i kthejë buxhetit të shtetit shumën e fituar për mbikqyrjen elektronike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re