Skip to content

Tenderi i uniformave të policisë, SPAK ndalon 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme

Operacion antikorrupsion nga SPAK, arrestohen 8 persona dhe një në arrest shtëpie, mes tyre një zyrtar i Ministrisë së Brendshme.

Operacioni është bërë në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 27 milionë euro, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila ishte në detyrë deri 1 muaj më parë.

Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Anisa Bogdanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin, të cilët janë anëtarë të KVO.

Sipas hetimeve dyshohet se zyrtarët dhe ish-zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit dëm ekonomik dhe kanë kryer shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera.

Tenderi për uniformat e policisë u denoncua më 3 gusht 2020 nga deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, të cilët e kallëzuan në SPAK tenderin prej 27 milionë eurosh.

Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Më kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit ka lëshuar 8 urdhër-arreste dhe një ‘arrest shtëpie’.

Operacioni i SPAK vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK, më 3 gusht të 2020, tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat  e policisë. Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.