Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka iu përgjigj këtë të mërkurë Partisë Demokratike për akuzat e hedhura për tenderin e ushqimeve. Në një dalje për mediat, Xhacka tha se ky është një inskenim i ulët që bëhet për të përhapur panik.
“Nuk do kisha dashur të fokusohesha asnjë minutë nga puna që bëjmë për të sqaruar shpifësit e rradhës, por më duhet ta them që jam e habitur, madje e trishtuar për nivelin, në të cilin ka degraduar opozita e “Babaleve”. Sot në mes të një lufte dhe përballë një armiku që po na rrezikon të gjithëve, ka njerëz, si këta regjizorët e “Babales” që kanë luksin të merren me inskenime të ulëta me qëllimin e vetëm përhapjen e panikut dhe hedhjen baltë mbi një operacion humanitar, që ndodh 24 në 24, që nga dita e parë e emergjencës, i paprecedentë për ne e për vende më të zhvilluara nga ne, i cili po u vjen në ndihmë mbi 600.000 familjeve e qytetarëve në nevojë në çdo cep të Shqipërisë.”
Xhaçka sqaroi se procedurat për dhënien e tenderit janë në përputhje me ligjin.
“Procedura e prokurimit të ushqimeve të Rezervave të shtetit është bërë në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe aktet nënligjore që krijojnë mundësinë e blerjes me afate të përshpejtuara pikërisht për të përballuar situata ekstreme të shkaktuara nga gjendja e fatkeqësisë.”
Sipas saj, nëse opozita është e shqetësuar dhe kërkon të ndihmojë qytetarët, duhet të dalë në terren.
“Këta që i bren meraku i madh për popullin i ftoj të heqin pizhamet, të ngrihen nga divanët, të lënë telekomandat, telefonët e fejsbukun e të vijnë të na ndihmonjë në terren, atje ku nevoja është e madhe. I pajisim ne me maska e doreza, se për shkak të asaj punës urgjente brenda 24 orëve, jo me zvarritje javësh e muajsh, por brenda 24 orëve, si në shumë pak vende, ushtarakëve dhe vullnetarëve tanë nuk u munguan asnjë ditë masat mbrojtëse. Përfytyroni të kishte munguar qoftë edhe një ditë ushqimi për nevojtarët apo masat mbrojtëse për funksionarët e shtetit ç’thagma do kishin nxjerrë nga goja “Babalet” e opozitës.”
Të martën PD akuzoi Xhaçkën se ka dhënë pa garë tenderin 1.5 milionë euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit.
