Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për abuzimet me tenderin e paracaktuar të ushqimeve me vlerë 1.5 milion euro. Sipas njoftimit të PD-së, ndër personat e kallëzuar janë Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria “EUROVIA” shpk, me administrator Emir Shefiti dhe shoqëria XPERT SYSTEMS shpk., me administrator Renald Gova.
Gjashtë janë veprat penale të referuara në kallëzim, ku përfshihen “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, thuhet se Ministria e Mbrojtjes duhet të argumentonte dhe të dokumentonte përzgjedhjen e kandidatëve që ka ftuar në këtë procedurë pa garë. Rezulton e provuar në dokumentet e tenderit, se ndryshe nga sa detyron ligji, mungon argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese “EUROVIA” shpk dhe shoqëria XPERT SYSTEMS shpk., në kushtet ku asnjëra prej tyre nuk është e specializuar në fushën e objektit të prokurimit, por kanë bërë shtimin e objektit të veprimtarisë vetëm disa ditë përpara hapjes së procedurës së prokurimit.
Kjo kompani, ka shtuar në objektin e veprimtarisë së saj “tregtimin e ushqimeve”, vetëm 6 ditë përpara se të shpallej tenderi dhe për pasojë nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore.
