Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar kthimin e shumicës së stafit amerikan nga misione diplomatike në Irak, tha të mërkurën ambasada e SHBA në Bagdad, mes tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Urdhri përfshin personelin që nuk është përgjegjës për situatat emergjente në ambasadën amerikane në Bagdad dhe në konsullatën në Erbil në krahinën autonome të Kurdistanit, tha Ambasada në një deklaratë.

“Shërbimet e vizave do të pezullohen përkohësisht në të dy vendet,” shtoi deklarata.

Urdhri vjen vetëm një ditë pasi Komanda Qendrore e SHBA vendosi ushtarët në Irak dhe Siri në një gjendje alarmi për shkak të “kërcënimeve të besueshme” nga forcat iraniane në rajon.

Paralajmërimi erdhi pasi Uashingtoni njoftoi javën e shkuar se ka zbuluar kërcënime të reja nga Irani, forcat e të cilëve në rajon po “synojnë amerikanët dhe interesat amerikane”.

Të dielën, ambasada u këshilloi qytetarëve amerikanë të shmangnin udhëtimet në Irak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re