Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të martën se Ukraina kishte kohë që aspironte të bashkohej me NATO si një anëtare dhe se administrata e Joe Biden kishte diskutuar aspiratat e saj me përfaqësuesit e atij vendi.

“Ne i mbështesim fuqimisht ata, ne jemi në dialog me ta, por është një vendim që do të marrë NATO,” tha Psaki.

Më herët të martën, presidenti Volodymyr Zelensky i bëri thirrje NATO-s të hapë rrugën që Ukraina të bashkohet me Aleancën, pasi Rusia grumbulloi trupa në rajonin e Donbasit të prekur nga konflikti, raporton Reuters.

Shtetet e Bashkuara më parë i kanë kërkuar Moskës një shpjegim për “provokimet” në kufirin me Ukrainën, tha Departamenti i Shtetit, me rastin e një raporti që trupat ruse po grumbulloheshin pranë Ukrainës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Edward Price tha se Shtetet e Bashkuara do të shqetësoheshin nëse Rusia do të bënte ndonjë veprim që do të frikësonte Ukrainën, qoftë në territorin rus apo ukrainas.

Por Rusia ka mohuar që lëvizja e ushtrisë ruse përbën një kërcënim për Ukrainën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re