Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Flutura Açka ka komentuar përplasjen mes mbështetësve të PS dhe PD, dje gjatë festës për Ditën e Verës.

Në një prononcim për emisionin “Real Story”, Açka ftoi ministren e Arsimit dhe njëherasi kundërshtaren e saj politike Evis Kushi, për të konsumuar një kafe.

Ky takim sipas saj do të konsiderohet si një shenjë solidariteti mes palëve, në mënyrë që dita e zgjedhjeve të mos shoqërohet me trazira.

“Në fakt ishte një ngjarje e trishtë, nuk nderon asnjërën palë. Qytetaret elbasanas presin që ta bëjmë më mirë, Elbasani që ju përmendët, vatër e edukimit dhe një nga qendrat më të rëndësishme të kulturave shqiptare përmendet për banda. 

Më vjen mirë që zonja ministre bëri një lloj distancimi, shpresoj që të jetë i sinqertë dhe jo mediatik. E ftoj të pimë një kafe me të, për të treguar se zgjedhjet në Elbasan do të jetë normale. 

Të rinjtë nuk duhet të jenë mish për top për një vend për ne në parlament. Unë isha prezente. Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Jam dëshmitare e asaj që ka ndodhur. Grumbulli i qytetarëve, nuk mendoj se ishin përgatitur për provokim. 

Nuk ka arsye opozita të provokojë. Duam apo nuk duam ne, pushteti i sotëm pas tetë vitesh është i lodhur. T’i gjuash një kafshe të plagosur, e egërson më shumë atë. Rama ik, në çdo cep e sheh të shkruar. 

Më vjen keq për një gjë që ishte përtej një incidenti. Ky duhet të jetë një alarm edhe për median, për të bërë një analizë të thellë. 

Nuk është një çështje e brendshme, tani që po flas disa nga zyrat e opozitës janë kërcënuar nga ata personat që ishin në ato video. 

I është thënë ikni ose do iu vendosim flakët. A është e hijshme kjo?,”- u shpreh Açka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re