Pentagoni ka konfirmuar një tjetër balonë të dyshimtë kineze mbi Amerikën Latine.

 

Është ende e paqartë vendndodhja aktuale e balonës, por një zyrtar tha se ka informacione që balona po shkon drejt Shteteve të Bashkuara.

 

PATRICK RYDER

ZËDHËNËSI I PENTAGONIT

 

“Kemi raporte për një balonë që fluturon mbi Amerikën Latine. Ne besojmë se kjo është një tjetër balonë spiune kineze. Në këtë fazë, ne nuk kemi asnjë informacion tjetër”

 

Konfirmimi vjen një ditë pasi një tjetër balonë u vu re në hapësirën ajrore të SHBA-së mbi Montana.

 

Kina pranoi të premten se balona në hapësirën ajrore të SHBA-së është një pajisje e saj e përdorur për qëllime civile dhe që kishte devijuar drejtimin për shkak të motit.

 

Ministria e jashtme e Kinës u shpreh përmes një deklarate të shtunën se balona shërbente për kërkime meteorologjike.

 

Incidenti vjen në mes të tensioneve të shtuara mes dy vendeve. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shtyu udhëtimin në Kinë duke thënë se prania e balonës ishte një akt i papërgjegjshëm.

 

Vizita ishte parashikuar të zhvillohej në datën 5 shkurt.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re