Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij para grupit të deputeteve demokratë tregoi kërkesat që qeveria e tij i kishte bërë Amerikës, para se të pranin muxhahedinët.

Sipas Berishës, kërkesat u pranuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa tregoi se plani i qeverisë së tij nuk ishte ndërtimi i një kampi, por që ata të jetonin në shtëpi me qira.

“Dua të saktësoj disa momente, marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve ka nisur zbatimin e saj gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë kohë muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe pa mëshirë nga qeveritarët irakenë.

Kërkesës së DASH gjatë një vizite që unë bërë në Uashington për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët unë i dhashë këtë përgjigje: Së pari po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën, sistemi dhe qëndrimi i tyre. Së dyti kërkesa e dytë për ti marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin listuar si grup terrorist nga DASH. Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin në ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Ata duhet të gëzonin të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA kanë pranuar këto kërkesa.

Tani në atë periudhë, nuk parashikohej ngritja e një kampi. Ne kishim alternativë tjetër. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe asistenca në jetën e tyre normale. OKB nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por në kuadër të të drejtave të tyre.

Kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata  e kishin patur këtë etiketën grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim që veprime të armatosura të nisura nga territori i Shqipërisë të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit. Këto ishin kërkesat. Erdhi grupi i parë nja 200-300 veta. Më vonë qeveria mori edhe 2700 të tjerë, në mos gaboj ata blenë tokën në Manzë, Edi Rama firmosi lejën e ndërtimeve dhe të kampit të tyre”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re