Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pasi hyrja në zyra të komunave e kryetarëve të rinj u kundërshtua nga serbët lokalë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha më 27 maj se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, tha Kurti.

Të premten, më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat, që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Një ditë më herët, ata ishin betuar në shkolla dhe ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave për shkaqe sigurie. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërkaq Policia e Kosovës njoftoi se të paktën pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime.

Rritja e tensioneve u dënua nga faktori ndërkombëtarë, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një deklarate i dënoi fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri, duke paralajmëruar se do të kenë edhe “pasoja pasoja në marrëdhëniet dypalëshe” të SHBA-së me Kosovën.

“I bëjmë thirrje kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti që ta ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, tha Blinken.

Edhe Bashkimi Evropian dënoi përleshjet në veri, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për uljen e tensioneve.

“BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm, provokues”, tha zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano.

Thirrje për zmbrapsje dhe shtensionim të situatës bënë edhe shtetet e QUINT-it bashkërisht: SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re