Një 13-vjeçar është shoqëruar nga Policia e Krujës, pasi mbrëmjen e kaluar dyshohet se ka thyer xhamat e një marketi në qendër të qytetit, në tentativë për ta grabitur.
Burime bëjnë me dije se i mituri po merret në pyetje në prani të një psikologu, sipas procedurave të parashikuara për të miturit. Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar rrobat që dyshohet se ai kishte veshur në momentin e ngjarjes, si edhe çekiçin që dyshohet se është përdorur për thyerjen e xhamave.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse 13-vjeçari ka vepruar i vetëm apo ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
