Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim, Agron Bejdolli, i cili konsiderohet si krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut”.

Ndaj Bejdollit, Gjykata e Durrësit ka caktuar më datë 02.05.2023 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Heqja e Paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim.

LEXO EDHE: Arrestohet krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut”, si tentuan të rrëmbejnë dy vëllezërit Indrit e Gentian Beqiraj 2 vite më parë në autostradën Tiranë-Durrës! Si u zbulua grupi kriminal

Ky shtetas akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit Indrit Beqiraj, banues në Durrës.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, operacioni policor i koduar “Wanted”.

I shpallur në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga pranga 33-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Wanted”.

Gjatë operacionit, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi më datë 02.05.2023, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit I. B., banues në Durrës.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

NGJARJA

Ajo që fillimisht u raportoi si një incident në rrugë pas përplasjes së një motori nga një automjet, ka qenë një veprimtari e përfilltë kriminale. Dy vëllezërit Beqiraj ishin nisur drejt Durrësit me mjetin e tyre të vogël, kur në rrugë një automjet i ka goditur nga pas. Gjatë konfliktit, Indrit Beqiraj është marrë peng për disa minuta. Ndërsa policia ishte vënë në lëvizje për ta liruar atë, autorët e kanë lënë të lirë, kanë braktisur mjetin dhe janë arratisur.

Midis tyre dyshohet të ketë qenë edhe “Rrumi”. “Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konfliktit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur ‘Koxhas’, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vëllezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.

Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë”, sqaroi Policia. “Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu, u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore”, thekson Policia.

POROSITË PËR VRASJE

Operacioni policor i koduar “Porositësi”, u organizuar nga Policia e Durrësit pas dëshmisë së dy vëllezërve Beqiraj, të cilët denoncuan në polici dhunën e ushtruar ndaj tyre nga disa persona, për të përfunduar më pas në pranga si “vrasës me pagesë”. Zbërthimi i tyre përpara organeve të hetimit ka mundësuar jo vetëm veprimtarinë e tyre kriminale, por edhe zbardhjen e disa vrasjeve, të cilët kishin mbetur në sirtarët e policisë si ngjarje pa autorë. Sipas dëshmive të tyre, dy prej vrasjeve janë porositur kundrejt pagesave nga Kasandro Noga, ndërsa një vrasje tjetër është porositur nga Flamur Bejko, punonjës i Policisë së Burgjeve.

Në të njëjtën kohë, vëllezërit kishin marrë porosi edhe për eliminimin e Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi” i Shijakut. Një nga personat e përfshirë në dhunimin e vëllezërve gjatë së shtunës ishte pikërisht miku i “Rrumit”, i cili me sa duket ka pasur informacion për tentativën e tyre për ta vrarë. Për këtë arsye, është shpallur në kërkim vetë “Rrumi”, Agron Bejdolli dhe Dritan Ferra. Nga hetimet e thelluara të policisë në bashkëpunim edhe me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re