Tentoi të vidhte nën kërcënimin e thikës xhiron ditore në një market dhe në tentativë për tu larguar dëmtoi lehtë në dorë një nga punonjëset e marketit, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë u vu në pranga 34-vjeçari.

Rreth orës 15:30, në lagjen nr. 1 Durrës, shtetasi O.Z, është futur në një market dhe nën kërcënimin e thikës ka tentuar të marrë xhiron ditore.

Punonjëset e marketit kanë reaguar duke njoftuar Policinë dhe të pengonin autorin për të mos marrë lekët.

34-vjeçari duke mos realizuar dot vjedhjen është munduar të largohet dhe në përpjekje për tu larguar ka dëmtuar lehtë në dorë një nga punonjëset e marketit.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në kohë reale në adresën e dhënë dhe kanë prangosur autorin, shtetasin O. Z., 34 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës, të cilin e kanë shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet për dokumentimin ligjor të rastit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re