DURRES- Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje, është arrestuar ditën e sotme nga policia e Durrësit. Ai është Gjergj Shkoza 32 vjeç, ndaj të cilit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë.

“Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Gjergj Shkoza 32 vjeç, banues në Durrës. Në ngarkim të shtetasit të mësipërm Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më datë 04.12.2017 në lagjen Nr.18 të qytetit të Durrësit, ku Shkoza ka plagosur me pistoletë shtetasin M.P.

Pas arrestimit, materialet në ngarkim të 32-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re