Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në Astir, të akuzuar për mashtrim. Në të paktën 6 raste, të cilat janë dokumentuar nga policia, ky person, i arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim”, tha policia.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
