Fax News ka siguruar pamjet nga seanca që po mbahet në ambientet e Gjykatës së Tiranës për tre të burgosurit që tentuan arratisjen nga ambientet e 313.

Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele shihen të relaksuar brenda kafazit të qelqtë, ndërkohë që nuk ndalojnë të qeshurën dhe batutat me njëri tjetrin. Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se 3 personat do të akuzohen për dy vepra të reja penale “Tentativë arratisje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.

Siç shihet dhe nga pamjet, Lulzim Çepele ka të fashuar dorën e tij, pasi preu damarët në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e gardianëve, që dy shokët e tij të mund të arratiseshin nga zona e ajrimit.

Gjatë tentativës për t’u larguar, Pjetri ka qëlluar me sende të forta dhe një prej gardianëve të burgut, i cili bëri të mundur dhe dështimin e arratisjes së tyre.

Burimet thonë se Pjetri dhe e ka kërcënuar gardianin e burgut duke i thënë se do t’ia mbante mend fytyrën, dhe duhet të kishte kujdes për familjen e tij.

Nga ana tjetër Çekaj, një prej personave më të kërkuar për disa vite nga drejtësia shqiptare, i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ka qenë i përfshirë në trafikun e sasisë rekord prej 613 kilogramë kokainë, që u kap në mesin e bananeve në Durrës.

Ai u konsiderua si peshk i madh nga ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu.

(E.K/Faxweb.al)

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re