Skip to content

Tentuan ti marrin shtëpinë, qytetarja zbulon kredinë false tek “Raiffeisen Bank”

raiffeisen bank.2 750x375 1

Denoncime të reja vinë në  “Media” ku tregojnë se kreditë me dokumente të falsifikuara kanë qenë një praktikë e shpërndarë në Raiffeisen Bank.

Pas rasteve në Lezhë dhe Vlorë, të denoncuara më herët, episodi i ri lidhet me qytetaren nga Laci, me inicialet Xh.Xh.

Kjo është një nga rastet e rralla, ku jo vetëm ka zbuluar se banka ka pranuar dokumente të falsifikuara në një dosje kredie, por ka arritur edhe të marrë dëmshpërblim për dëmin që i është shkaktuar nga banka, e cila ka tentuar t’i marrë fillimisht paratë, e më pas edhe banesën, për një kredi të marrë në fakt nga ish-burri i saj.

Çfarë ka ndodhur konkretisht?

Qytetarja me iniciale Xh.Xh (dokumenti që disponojmë ka identitetin e plotë) është divorcuar nga bashkëshorti, me vendimin gjyqësor nr. 470, datë 15.12.2006, ku nga Gjykata është zgjidhur martesa ligjore ndërmjet saj dhe ish-bashkëshortit.

Por një vit më vonë, në datën 29.07.2007, rezulton se ish-burri ka nënshkruar një kontratë kredie ndërmjet palës së paditur, shoqërisë Raiffeisen Bank SHA, në cilësinë e kredidhënësit, dhe shtetasve R.O. (ish-bashkëshorti i të dëmtuarës) në cilësinë e kredimarrësit dhe vetë denoncueses Xh.Xh. (e njohur edhe me mbiemrin O…) në cilësinë e bashkredimarrëses, për shumën prej 900,000 lekësh.

Faksimile e dokumentit

Pra, një vit pasi bashkëshortët ishin ndarë me vendim gjykate, Raiffeisen Bank nënshkroi kontratën e kredisë me shtetasin R.O., ish-burrin e shtetases Xh.Xh., duke e futur edhe këtë të fundit në detyrimin e kredimarrëses dhe garantores së kredisë nëse ish-bashkëshorti nuk paguante këstet.

Dhe kështu ka ndodhur. Tri vite më pas, me shkresën nr. 595, datë 14.09.2010, Raiffeisen Bank ka njoftuar shtetasen Xh.Xh. mbi detyrimin e rrjedhur nga kjo kontratë.

Natyrshëm, qytetarja ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ekzistencën e kësaj kontrate, pasi me vendimin gjyqësor nr. 470, datë 15.12.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor ishte zgjidhur martesa ligjore ndërmjet saj dhe ish-bashkëshortit.

Faksimile e dokumentit

Por Raiffeisen Bank nuk është tërhequr dhe ka vijuar ekzekutimin e kësaj kontrate, duke detyruar qytetaren të depozitojë kallëzim penal në Prokurori.

Pas nisjes së hetimeve për falsifikim dokumentesh, me shkresën nr. 1829 prot, datë 01.03.2011, Raiffeisen Bank e ka njoftuar qytetaren se nuk kishte asnjë detyrim ndaj bankës, duke i kërkuar ndjesë për shqetësimin.

Por ndryshe nga sa banka shkruante në këtë dokument, në datën 13.06.2012 qytetarja është njoftuar për rifillimin e ekzekutimit të kontratës së kredisë.

Pra, Raiffeisen Bank fillimisht me dokument i ka kërkuar falje gruas dhe i ka bërë me dije se ndaj tyre nuk kishte asnjë detyrim, por një vit më vonë ka nisur sërish të kërkojë paratë e kredisë së marrë nga ish-bashkëshorti, i cili kishte përdorur dokumente false për ta përfshirë ish-gruan në kredimarrje në një dosje të pranuar nga Raiffeisen Bank.

Por e vërteta ka filluar të dalë pasi prokuroria e ka dërguar çështjen në gjyq dhe me vendimin gjyqësor nr. 34-3, datë 10.01.2012, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka shpallur fajtor të pandehurin R.O. për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal, siç citon lajmi në lajmifundit.al. Procedimi penal ishte regjistruar pas kallëzimit penal të ish-bashkëshortes Xh.Xh (O) mbi falsitetin e kontratës së kredisë bankare datë 29.08.2007. Martesa ndërmjet bashkëshortëve ishte zgjidhur me vendimin gjyqësor nr. 470, datë 15.12.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 1020, datë 12.09.2007.

Në përfundim, në kërkesën e qytetares së dëmtuar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 8155, datë 17.07.2014, ka vendosur:

“Pavlefshmërinë absolute të kontratës së kredisë bankare datë 29.08.2007 të lidhur ndërmjet Raiffeisen Bank SHA dhe shtetasit R.O. dhe shtetases Xh.Xh. (O) vetëm për pjesën e paditëses. Detyrimin e palës së paditur Raiffeisen Bank SHA të dëmshpërblejë shtetasen Xh.Xh. (O) për dëmin moral të shkaktuar në masën 50.000 lekë. U shpall në Tiranë në datë 17.07.2014.”

Interesant është arsyetimi i vendimit të gjykatës, në lidhje me pavlefshmërinë e kontratës së kredisë për pjesën që lidhet me shtetasen Xh.Xh., ku theksohet se ky fakt është pranuar nga pala e paditur (Banka Raiffeisen), ndaj edhe nuk ka vend për analizë.

Çështja ka vijuar më tej në shkallët e tjera të gjyqësorit ku kanë dalë detaje të tjera. Konkretisht, në kërkimin e dëmshpërblimit, qytetarja thekson se për kredinë me dokumente false dhe kontratën që nuk e kishte nënshkruar asnjëherë, Banka Raiffeisen kishte vazhduar ekzekutimin e detyrimit deri në sekuestrimin e banesës!