Teodor Rupi ishte një nga aktorët më të kompletuar të teatrit dramatik të Durrësit. Ai nuk jeton më që prej 23 vjetësh. Ndërroi jetë në prag të festës së Vitit të Ri, më 28 dhjetor të vitit 1990.

Artist me një zë shumë kumbues, mjaft serioz dhe kërkues në profesionin e vështirë të aktorit, Teodor Rupi ka sjellë në skenat e të gjithë vendit role të spikatura si në gjininë e dramës ashtu edhe në atë të komedisë.

AFTËSI AKTORIALE DRAMATIKE E KOMIKE

Trupmadh dhe mjaft impozant, dukej e vështirë që një aktor
me cilësitë e tij ta gjente veten me sukses në të dyja gjinitë, si në dramë
ashtu edhe në komedi.

Mjeshtri i Madh i Skenës, Gjergj Vlashi dëshmon se “Teodor Rupi shkëlqeu në premierën e dramës “Mulliri i i Kostë Bardhit”, shkruar nga Naum Prifti. Duke mishëruar rolin kryesor të veprës, i cili barte nota të forta dramatike, dukej e çuditshme ta shikoje në një rol komik përkrah artistit të shkëlqyer Nikolin Xhoja në komedinë e Gogolit “Martesa”. Ivan Ivanoviç Truviç ishte një nga krijimet më të mira të Teodor Rupit” (në foto, i pari djathtas Teodor Rupi), – kujton regjisori i varietesë Gjergj Vlashi, duke theksuar aftësitë aktoriale dramatike e komike të kolegut aktor.

VOKACIONI PËR SKENËN

Djaloshi me origjinë nga Erseka do të vendosej në Durrës bashkë me familjen. Në vitin 1946 kur ishte 23 vjeç ai nis të aktivizohet me artin dhe kulturën dhe për një kohë të shkurtër mbulon edhe detyrat e sekretarit për kulturën në prefekturë si dhe atë të drejtorit të kinemasë. Por, mesa duket  vokacioni i tij i vërtetë mbetej teatri.

Provat e para si aktor me brumë i jep si amator në vitin 1947 te “Gështenjat e Pragës” ku interpreton Frantishek Prohaskën, ndërsa më vonë luan në skenë edhe rolin e Veli Jubës te “Dasma e madhe”. Teodor Rupi do të jetë përkrah aktorëve themelues të teatrit “Aleksandër Moisiu” më 11 janar të vitit 1953, kur ata nisin punën si profesionistë me komedinë “Vajza nga fshati” të dramaturgut Fatmir Gjata.

Që nga ajo kohë lista e roleve të realizuara me trupën e teatrit do të zgjatej pa fund. Nga një kërkim i shpejtë në arkivin e teatrit gjejmë mbi 50 tituj premierash, së bashku me rolet e interpretuara nga Teodor Rupi. “Një artist i vërtetë, -thotë aktori Mirush Kabashi, i cili ka mbërritur në trupën “Aleksandër Moisiu” në vitin 1971. – Sapo u emërova, kam pasur fatin të interpretoj rolin kryesor te “Revizori”, komedia e Gogolit, vënë në skenë me shumë sukses nga aktori dhe regjisori Vangjel Heba.

Teodor Rupi ishte një nga kolegët, prej të cilëve mësoja çdo ditë. Ai interpretonte me të njëjtin impenjim si rolet kryesore, ashtu edhe rolet e karaktereve, të cilat spikasnin në secilën prej premierave. Kujtoj interpretimin e shkëlqyer të tij te “Martesa” e Gogolit apo te “Lugajanët” e Kolë Jakovës”. Kabashi ndalet gjatë në vlerat njerëzore të Teodor Rupit.

ARTISTI MODEL

 “Teodori ishte më shumë se aktor, ishte artist shumëplanësh. Por mbi të gjitha ishte njeri, familjar dhe qytetar model”, – nënvizon Mirush Kabashi, i cili ka punuar rreth 23 vjet në trupën e teatrit të Durrësit. “Nën pamjen e tij shumë serioze fshihej një njeri mjaft komunikues, çka ishte shumë e rëndëishme për ne të rinjtë.

Teodori dinte të na inkurajonte në punën e përditshme” – tregon Kabashi për vitet 1970. Shpesh herë e bënte këtë pa folur, por përmes seriozitetit dhe kujdesit në zbërthimin e rolit. Vlerësimi për veprimtarinë e Teodor Rupit do të mbërrinte vonë, në vitin 1991, disa vite pasi ai doli në pension, dhe fatkeqësisht atëherë kur ai nuk jetonte më.

Teodor Rupi vdiq më 28 dhjetor të vitit 1990, pikërisht në ditët që po sillnin demokracinë. Ishte vetëm 67 vjeç dhe po largohej duke lënë pas role të paharruara jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi.

Teodor Rupi ishte një hero i heshtur i teatrit “Aleksandër Moisiu”, një prej segmenteve më dinjitoze të veprimtarisë së këtij teatri në shekullin që kaloi”,- përfundon Mirush Kabashi konsideratën e tij për Artistin e Merituar, Teodor Rupi.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re