Pas reagimeve të shumta gjatë ditës së sotme, për lajmin se televizioni “Ora” është mbyllur nga ISHSH, ka reaguar AMA.

Sipas AMA, shkresa ndaj TV Ora, nuk bënte fjalë për mbyllje për ishte një paralajmërim.

Vetë televizioni, mesditën e sotme, lajmëroi se ISHSH ka sjellë një vendim për mbylljen e aktivitetit dhe paraqiti një dokument për këtë.

Me sa duket, ka një tërheqje dhe tashmë ndaj “Tv Ora” ka vetëm një paralajmërim.

Deklarata e AMA:

Nisur nga informacione dhe formulime të ndryshme mediatike, mbi vendimarrje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, për mbyllje të subjektit ORA News, bëjmë me dije se, nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni.

Për rastin konkret, ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje ditën e mërkurë, 13.05.2020, nga AMA, për subjektin ORA News për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19.

Më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, dega Tiranë, më datë 14.02.2020, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba, bazuar në ligjin 15|2016 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive”, Aktin Normativ nr. 3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohës zgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.

Për këtë vendim ISHSH ka njoftuar me shkresë zyrtare AMA-n më datë 15.05.2020.

Autoriteti i Mediave Audiovizive Tiranë, 15.05.2020

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re