Një tërmet shkatërrimtar ka goditur Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit, duke lënë mbi 1600 të vdekur dhe mbi 5300 të plagosur.

Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan tha se nuk mund të parashikojë se sa do të rritet numri i të vdekurve ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

Kjo është fatkeqësia më e madhe e vendit që nga viti 1939, u tha Erdogan gazetarëve, duke shtuar se 2818 ndërtesa u shembën si pasojë.

Lëkundjet zgjatën rreth një minutë dhe u ndjenë deri në Qipro, Egjipt dhe Liban

Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep.

Në Turqi, zyrtarët konfirmuan më shumë se 912 vdekje deri më tani dhe 10 qytete u goditën, përfshirë Dijarbakirin.

Ekziston frika se numri i të vdekurve do të rritet ndjeshëm në orët në vijim.

Shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit janë vendosur për të kërkuar të mbijetuarit nën grumbuj të mëdhenj rrënojash.

Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.

Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re