Një tërmet goditi mëngjesin e së mërkurës, Afganistanin lindor, duke vrarë të paktën 255 persona, sipas informacioneve të para. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve të tërmetit me magnitudë 6.1 ballë që goditi provincën Paktika.

 

Tërmeti, i cili goditi gjatë orëve të para të mëngjesit teksa shumë njerëz flinin – ishte një tërmet me thellësi rreth 51 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

 

Agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar” raportoi detajet dhe tha se ekipet e shpëtimit po mbërrinin me helikopter.

 

“Një tërmet i fortë tronditi katër rajone të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë dhe duke shkatërruar dhjetëra shtëpi”, shkroi në Twitter Bilal Karimi, zëdhënës i qeverisë talibane.

 

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës së shpejtë që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.”

 

Departamenti Meteorologjik i Pakistanit e vlerësoi tërmetin në magnitudën 6.1 ballë. Lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, dhe gjetkë në provincën lindore të Punjabit.

 

Agjencia evropiane sizmologjike, EMSC, tha se lëkundjet e tërmetit u ndjenë mbi 500 kilometra nga më shumë se 119 milionë njerëz në të gjithë Afganistanin, në Pakistan dhe Indi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re