Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti në njësinë administrative nr.6 në kryeqytet, ndërsa ka denoncuar faktin pasi sipas tij kjo zonë ka ngelur jashtë vëmendjes.

Teksa ka takuar nga afër banorët dhe ka parë nga afër dëmet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, Basha tha se familjet e prekura kërkojnë vlerësim urgjent të banesave, si dhe ushqim dhe strehim.

“Sot në njësinë administrative 6 në Tiranë, qindra banesa të shkatërruara dhe të pabanueshme. Mes vuajtjeve, stresit dhe tronditjes banorët kërkojnë vlerësim urgjent, strehim dhe ndihma ushqimore! Ata thonë se deri tani janë tërësisht jashtë vëmendjes dhe të braktisur në fatin e tyre.

Mirënjohje për kontributet dhe ndihmën e disa bizneseve që ndonëse në vështirësi kanë strehuar 40 familje. Ndërkohë u informova se ndihma të tjera të destinuara nga Kosova për këtë zonë janë ndalur në Kashar dhe nuk kanë arritur në destinacion. Gjithsesi vullnetarizmi nuk mjafton. Duhet menjëherë prania dhe ndihma e shtetit!”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re