Tërmeti ka shkaktuar probleme dëme në shtëpi jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë.
Zona e Kombinatit ka qenë ndër më të goditurat nga tërmeti 6.4 ballë Richter. Sipas News 24, në zonën e Qelqit në Kombiat, shumë familjarë zgjedhin që të flenë jashtë.
Një e moshuar, e cila jeton vetëm në banesë shprehet se po kalon momente të këqija, pasi është e vetme e se shtëpia e saj shpesh nuk ka drita e ujë.
“Unë jetoj në një dhomë të vogël. Vrava edhe një dorë. Nuk kam si të rri dot jashtë. Unë djalin e kam emigrant. Jemi skandal, nuk ka ujë, nuk ka drita”, tha e moshuara.
Një banor i quajtur Armando Karaj u shpreh se situata në Kombinat është tmerr, edhe pse ndodhet 3 kilometër larg nga Tirana.
“Këtu është një tmerr. Kombinati është vetëm 3 kilometër larg Tiranës. Fëmijët rrinë jashtë në të ftohtë”, tha banori.
Një tjetër banor u shpreh se janë detyruar që të flenë jashtë, në shi e në të ftohtë.
“Banesa është bërë e pabanueshme. Nuk mund të futemi dot, sepse nuk banohet. Po rrimë në shi e në të ftohtë, pa kushte e asgjë. Nuk ka ardhur askush që të shikojë si është situata. Ne kemi fjetur në çadër, në stola. Na kanë ndihmuar nga xhamia”, tha ai.