Bulqiza vijon të përballet me lëkundjet e tërmetit.

Brenda 48 orëve janë shënuar shtatë lëkundje tërmeti, ku i fundit ishte i ditës së sotme me magnitudë 3.2 i shkallës rihter.

Ndërkohë nga lëkundja e fuqishme e mëngjesit të së premtes e cila ishte me magnitudë 4.5 rihter numri i banesave të dëmtuara ka shkuar në 62 në të gjithë Bulqizën.

Banorët ndjehen të frikësuar dhe kërkojnë strehim në çadra pasi i druhen lëkundjeve me magnitudë më të lartë. Zamira Jakimi thotë se qëndrimi në banesë është i pasigurtë, ndaj kërkon ndihmën e autoriteteve për një çadër.

“Kishim frikë, dolëm përjashtë dhe tani duam një çadër për të ndenjur se s’kemi ku të rrimë se kemi frikë. Jemi 6 pjesëtarë“, tha ajo për Fax News.

Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, ishte në disa banesa vetë kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Ky i fundit tha se dëme ka patur pothuajse në të gjitha njësitë administrative, ku mes tyre veçohet dëmtimi i dy pallateve në Bulqizë dhe dy në Krastë.

“Menjëherë pas rënies së tërmetit, emergjencat e bashkisë janë vënë në veprim duke pritur ankesat e banorëve të prekur nga tërmeti. Po ashtu duke verifikuar. Janë shpërndarë në të gjitha njësitë administrative.

Vazhdojmë të inspektojmë nga afër çdo vend që na është raportuar dhe çdo vend ku marrim informacion që ka dëmtime nga tërmeti do vazhdojmë dhe në ditët në vijim për të nxjerrë koston e dëmeve dhe t’i rikthejmë në gjendjen e mëparshme.

Deri tani janë 62 por presim. Një pjesë e banesave ka qenë i armotizuar dhe tërmeti ka ndikuar me shumë”, tha Alla.

Duke qenë se Bulqiza është zonë sizmike banorët po qëndrojnë në ankth nga frika e lëkundjeve më të forta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re