“I rrallë dhe i fuqishëm”: këto janë përcaktimet që po përdorin mediat amerikane për të përshkruar tërmetin 4.8 Rihter që ndodhi mëngjesin e së premtes në perëndim të New York-ut.

Intensiteti, thellësia e vogël fokale (vetëm 5 kilometra) dhe fakti që ishte në tokë, shkaktoi shqetësim të madh për miliona njerëz në metropolin amerilan dhe më gjerë në rajon, të cilët nuk janë mësuar aspak me situata të tilla.

Çfarë thonë sizmologët?

Bregu Lindor i SHBA është përgjithësisht një rajon sizmik “i qetë”, thonë sizmologët amerikanë.

Megjithatë, ata theksojnë se lëkundjet janë të zakonshme në zonë, por magnituda është e pazakontë.

Dr. Chuck Fer Straten i cili foli për USA Today shpjegoi se nuk është për t’u habitur që ky tërmet ndodhi aty ku ndodhi.

Historikisht rreth qytetit të New York-ut deri në New Jersey ka pasur shumë tërmete. Kjo ndodh çdo vit. Nuk është për t’u habitur që është ndjerë nga shumë njerëz, por zakonisht tërmetet në zonë janë më të vogla në magnitudë dhe më pak gjasa të ndjehen”, tha ai.

Përsa i përket pyetjes nëse ky është apo jo një pararendës i një tërmeti më të madh, ai thekson se “nuk do të kishte gjasa që një tërmet më i madh të pasonte këtë”.

A ka lidhje me eklipsin?

Dhe ndërsa kjo po ndodh, të hënën SHBA po përgatitet për një tjetër ngjarje të rrallë, një eklips diellor total që do të jetë i dukshëm nga shumica e shteteve qendrore dhe lindore, por jo nga qyteti i New York-ut.

Por a mund të kenë lidhje këto dy ngjarje?

Tërheqja gravitacionale e ushtruar nga Hëna dhe Dielli në Tokë ka një intensitet të ndryshëm. Ndërsa tërheqja nga Hëna në disa raste mund të stimulojë sizmicitetin e një zone, tërheqja përkatëse nga Dielli është shumë më e vogël, kështu që nuk ka asnjë efekt në fenomenet tektonike.

Dridhja e vitit 2011

Tërmeti i së premtes zgjoi kujtimet e tërmetit të 23 gushtit 2011 që tronditi dhjetëra miliona njerëz nga Georgia në Kanada.

Ai kishte një magnitudë 5.8 dhe ishte me qendër në Virginia, dhjetëra kilometra në jug të tërmetit të sotëm, tërmeti më i fortë në Bregun Lindor që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai shkaktoi çarje në monumentin e George Washingtonit në kryeqytetin amerikan, ndërsa çoi në evakuimin e përkohshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol-it.

Inxhinierët e ndërtimit thonë se zakonisht shohin dridhje vetëm 2 të shkallës Rihter (dmth 100 herë më të dobëta se sot), por theksojnë se ndërtesat mund të përballojnë tërmete shumë më të forta. Rregulloret e ndërtimit në New York kanë parashikuar forcimin e ndërtesave kundër dridhjeve që nga vitet 1990.

Si kanë reaguar banorët?

Lëkundjet u ndjenë nga New York-u në Connecticut dhe Massachusetts, si dhe Boston dhe Philadelphia.

Shumë banorë raportuan se lëkundjet në shtëpitë e tyre zgjatën deri në 30 sekonda.

Pati disa vonesa në fluturimet për në New York, ndërsa aeroportet u mbyllën për pak kohë për të vlerësuar dëmet e pistës.

Departamenti i Zjarrfikësve të New York-ut tha, nga ana e tij, se nuk ka raportime për dëme në qytet, në pritje të një vlerësimi të situatës.

Megjithatë, kishte një shqetësim tek banorët – ishte ora 10:23 e mëngjesit – të cilët dolën nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet u dërguan një mesazh banorëve në celularë, shumë prej të cilëve theksonin se mbërriti shumë vonë, të paktën… 45 minuta më vonë, kohë në të cilën pothuajse nuk kishte kuptim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re