“Çdo minutë është e shtrenjtë në këto momente, ndaj mos të kursehet asgjë dhe të vihet në dispozicion gjithçka, që kjo fatkeqësi kaq e rëndë të përballet me sa më pak humbje jete njerëzore”.

Kështu apelon sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, duke reaguar me një mesazh pas tërmetit tragjik me pasoja të rënda edhe në jetë njerëzish që goditi vendin tonë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Me një shënim në Facebook, Kryemadhi shpreh ngushëllime për jetët e humbura, shërim të shpejtë për të lënduarit dhe solidaritet me ekipit që janë në ndihmë të të prekurve.

Mesazhi i Kryemadhit:

Qytetarët shqiptarë po përballen sot me një situatë shumë të rëndë si pasojë e një tërmeti të paprecedentë.

Shpreh ngushëllime nga zemra për të gjithë familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë fatkeqësi natyrore dhe dhimbja ime bashkohet me dhimbjen e tyre.

I uroj shërim të shpejtë të gjithë të traumatizuarve dhe të plagosurve. T’i lutemi Zotit të na japë forcë dhe kurajo për të përballuar këto momente të vështira për të gjithë ne.

Gjej rastin të shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë ata, që po kontribuojnë për të shpëtuar jetët e njerëzve. Të gjithë personelin mjekësor, mjek dhe infermierë që po trajtojnë të plagosurit, punonjësit e emergjencave civile, zjarrfikësit, punonjësit e policisë së shtetit dhe anëtarët e forcave të armatosura.

Çdo minutë është e shtrenjtë në këto momente, ndaj mos të kursehet asgjë dhe të vihet në dispozicion gjithçka, që kjo fatkeqësi kaq e rëndë të përballet me sa më pak humbje jete njerëzore.

Sot më shumë se kurrë na duhet solidaritet me njëri-tjetrin!

Zoti e ndihmoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re