Skip to content

Tërmeti: Ndalohen edhe burrë e grua, pronarë të hotel “Vila Palma”

Një sërë fletë-arrestesh janë lëshuar mëngjesin e sotëm nga prokuroria e Durrësit në lidhje me përgjegjësit për shembjen e pallateve dhe ndërtesave në qytetin bregdetar gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

Burime nga policia thanë se përveç zyrtarëve të Kadastrës dhe Kavaleshencës, në pranga janë vënë edhe pronari i pallatit tek ‘2 Gjelat’, njëkohësisht edhe pronari i lokalit ‘Barons’, Artur Terziu.

Ky i fundit akuzohet se ka ndërhyrë më strukturën e pallatit në funksion të lokalit të tij, duke u bërë shkak për shembjen e pallatit.

Po ashtu, në pranga janë vënë edhe pronarët e ‘Vila Palma’, Arben dhe Dëshira Qato.

Nga shembja e Vila Palmës humbi jetën babai i Dëshirës, Sadik Qato, ndërsa u nxor i gjallë djali i saj, Klajdi Qato.

Ky hotel kishte dy kate shtesë, nga 6 kate që kishte marrë lejen nga ish-komuna e Rrashbullit.

Objekti është kolauduar nga vetë pronari i “Vila Palma”, Arben Qato, kolaudim i cili i ka hapur rrugë ndërtimit edhe të dy kateve shtesë, duke mbingarkuar kolonat e godinës me mbipeshë.

Në Prokurorinë e Kavajës ndërkohë, ka të hapur një dosje penale për Dëshira Qato shefe Urbanistike në Kavajë, ish-kryebashkiakun Isa Sakja dhe dhe Dritan Kazazin, të cilët janë në hetim për “Shpërdorim detyre”, për dhënien e 7 lejeve ndërtimore në bregdetin e Kavajës.