Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë më 10 gusht, duke shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur, sipas të dhënave të fundit. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka bërë të ditur se po ndjek nga afër situatën dhe, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, e cila mbulon edhe Kolumbinë, është në kontakt me autoritetet kolumbiane.
Sipas MEPJ-së, deri tani nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur nga tërmeti.
Ministria njofton gjithashtu se, bazuar në informacionet e mbledhura deri në këto momente, nuk janë raportuar dëmtime në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi apo që janë në pritje të procedurave të ekstradimit.
“MEPJ dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Brazil vijojnë komunikimin me autoritetet kolumbiane dhe verifikimin e informacionit mbi situatën e shtetasve shqiptarë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, bilanci i tërmetit mbetet në përditësim, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë operacionet në zonat më të prekura.
Shtetasit shqiptarë që ndodhen në Kolumbi dhe kanë nevojë për asistencë konsullore si pasojë e tërmetit mund të kontaktojnë numrin e emergjencës së Ambasadës së Shqipërisë në Brazil.
