Sizmiologu Edmond Dushi thotë se nuk ka vend për panik për banorët e Lezhës, por jo vetëm, për tërmetin e ndjerë mbrëmjen e kësaj të shtune.

 

Ai konfirmoi për “Vizion Plus” se tërmeti kishte magnitudë 3.9 të shkallës Rihter dhe epiqendra ishte në Ugrenj të Lezhës. Sipas sizmiologut, ky është një tërmet i izoluar, që nuk ka lidhje me atë të Durrësit të rënë në nëntor.

 

Gjithashtu, Dushi sqaroi se deri tani nuk ka raportime për aktivitet të shtuar sizmik në atë zonë, çka do të thotë se nuk priten lëkundje të tjera.

 

“Ky është një tërmet që nuk ka lidhje me atë të Durrësit në muajin nëntor. Tërmeti është ndjerë sepse po kaloi një magnitudë që është mbi 3.5 Rihter, atëherë ndjeshmëria është më e madhe. Në bazë të informacionit nga rrethi jonë dhe nga rrethe të tjera ne nuk gjykojmë që për momentin të ketë një aktivitet të shtuar sizmik në atë zonë që do të përbënte një shqetësim. Deri tani është një ngjarje e izoluar dhe ne shpresojmë që do të mbetet e tillë. Nuk kam informacion për raportime për dëme materiale dhe besoj se edhe magnitude nuk lë vend për të pritur diçka të tillë.”  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re