Sizmologu Llambro Duni qetësoi qytetarët për tërmetin e regjistruar në orën 02:40 të natës së kaluar, me magnitudë 3.6 të shkallës rihter, duke rikthyer panikun.

Në një lidhje telefonike për “News24”, sizmologu Duni tha se lëkundja e mbrëmjes së kaluar është në kuadër të paslëkundjeve të tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Sipas sizmologut, nuk është e mundur që në ditët në vijim të kemi lëkundje me magnitudë më të fortë.

“Është në kuadrin e paslëkundjeve. Tërmeti i 26 nëntorit, në madhësinë që ka pasur, do të shoqërohet me pasgoditje, që do të vazhdojnë për disa muaj. Kjo e natës së kaluar është e kësaj natyre, kështu që mendoj se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Kjo ngjarje e fortë do të pasohet me ngjarje shumë herë më të vogla, ndonjëra prej të cilave edhe do të ndihet”, tha sizmologu.

Sa ishte magnituda e saktë e lëkundjes së mbrëmshme?

Raportimet tona janë në shkallën e magnitudës lokale. Nëse flitet për magnitudën lokale, është mirë që të gjithë t’i referohemi Institutit tonë, ndaj dhe madhësia e lëkundjes ishte 3.6.

Nëse do kemi lëkundje të tjera nuk është vend për panik?

Jam i bindur që nuk do të ketë ngjarje me magnitudë më të lartë, do të ketë ngjarje me magnitudë më të vogël.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re