Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka publikuar konkluzionet e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Europës, ku në to theksohet se Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë të donatorëve.

“Përfundimet e Këshillit Evropian të 12 dhjetorit 2019: “Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Shqipërinë në dritën e tërmetit të fundit.

Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë të donatorëve”, shprehet ai në një postim në Twitter.

Konferenca e donatorëve pritet të zhvillohet në muajin në janar, pas daljes së faturë së saktë së dëmeve të tërmetit. Qeveria së bashku me aleatët është duke përgatitur faturën për të shkuar më pas në konferencë për të kërkuar ndihmë për rindërtimin.

Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi tragjik, pasi humbën jetën 51 persona, mbi 900 të tjerë u lënduan, 47 u nxorën gjallë nga rrënojat.

Ky tërmet shkaktoi edhe shumë dëme materiale, mijëra banesa janë dëmtuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re