Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë, lidhur me bonuset e qirave për tërmetin tragjik të 26 Nëntorit.

Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, PD deklaron se bashkia e Durrësit publikoi pak ditë më parë familjet që përfitojnë bonuset e qirasë për shkak të dëmtimeve të shtëpive të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas PD militantët e PS po zhvasin bonuset e qerasë që nuk u takojnë.

“ Manza është një nga zonat më të godituar nga tërmeti, por shumë banorë vazhdojnë të flenë në çadra, ndërsa drejtuesit socialistë zhvasin bonuset e qerasë që nuk u takojnë”, shprehet PD.

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE:

SKANDAL! Provohet abuzimi i qeverisë me bonuset e qerave për tërmetin. Militantët socialistë marrin qera të shumëfishta.

Bashkia e Durrësit publikoi pak ditë më parë familjet që përfitojnë bonuset e qerasë për shkak të dëmtimeve të shtëpive të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Në media janë publikuar shpesh herë akuzat e banorëve të Durrësit dhe zonave përreth, më të godituart ga tërmeti, se qeveria po i diskriminon ata banorë që njihen si kundërshtarë politikë, duke favorizuar deri në abuzim militantët e saj. Një rast i tillë është provuar me Manzën. Ajo është një nga zonat më të godituar nga tërmeti, por shumë banorë vazhdojnë të flenë në çadra, ndërsa drejtuesit socialistë zhvasin bonuset e qerasë që nuk u takojnë.  Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qeraje, 3 prej të cilave janë për familjen e Kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qeraje ka përfituar edhe babai i Kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i Kryetarit të PS, Murat Basha. Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qeranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e manzës.

Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi tragjik, pasi humbën jetën 51 persona, mbi 900 të tjerë u lënduan, 47 u nxorën gjallë nga rrënojat. Ky tërmet shkaktoi edhe shumë dëme materiale, mijëra banesa janë dëmtuar dhe për këtë Rama ka ngritur Komitetin e Rindërtimit. Ai ka premtuar se do të ndërtohet nga fillimi çdo banesë që ka dëme të strukturë, ndërsa ato që kanë dëme në mure do të riparohet nga firmat e ndërtimit. Rama tha se projekti i rindërtimin nuk do të dëmtojë “buxhetin 2020”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re